
Sanksionet amerikane janë hequr, por narrativi prorus ka mbetur i njëjtë.
Këtë e tregon një analizë e Radios Evropa e Lirë, e bazuar në deklaratat që Millorad Dodik, udhëheqës i partisë qeverisëse në Republikën Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, u ka dhënë kryesisht mediave ruse.
Në pesë muajt e fundit, prej se SHBA-ja i ka hequr sanksionet kundër tij, ai është shfaqur vazhdimisht në media të lidhura me Kremlinin, si: RIA Novosti, Rusia 24 dhe Rusia 1.
Në deklaratat e dhëna, ai lavdëron presidentin rus, Vladimir Putin, dhe kritikon ashpër Perëndimin.
Rusinë e përshkruan si “një civilizim të ri”, ndërsa Bashkimin Evropian e akuzon për destabilizimin e Ballkanit – duke veçuar sidomos Gjermaninë.
Dodik ka paralajmëruar edhe një udhëtim në Rusi më 9 maj, në Ditën e Fitores, ku do të takojë, siç ka thënë, “miqtë e tij” – Putinin dhe ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Nga Komisioni Evropian, jozyrtarisht, thonë për Radion Evropa e Lirë se nuk u japin rëndësi deklaratave të Dodikut në mediat ruse.
Deklaratat e Dodikut: Për Rusinë, kundër BE-së
Në një intervistë për mediat ruse, Dodiku vlerësoi Putinin, mbështeti pushtimin rus të Ukrainës dhe pretendoi se Perëndimi – i udhëhequr nga BE-ja – po punonte për të shpërbërë Rusinë.
Duke folur për agjencinë RIA Novosti në fund të marsit, ai tha se “Perëndimi dhe Bashkimi Evropian vazhdojnë të jenë shkatërrues” dhe “të demonstrojnë qëndrimin e tyre armiqësor” ndaj Republikës Sërpska.
Ai, gjithashtu, tha se dëshiron që Republika Sërpska të lidhet me rrjetin e gazit të Serbisë nëpërmjet tubacionit Interkonkeksioni Lindor, për të marrë gaz rus.
Pas kthimit të tij nga një vizitë në Shtetet e Bashkuara në fillim të shkurtit – e para që nga heqja e sanksioneve – Dodik tha se po vazhdonte bashkëpunimin e tij “strategjik” me Rusinë.
Ai e bëri të njëjtën deklaratë edhe në Izrael, në muajin janar, pas një takimi me ambasadorin rus atje.
Në një raport në janar të kanalit rus Rusia 1, për Ditën e Republikës Sërpska – një festë që Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës e ka shpallur disa herë të papajtueshme me Kushtetutën – Dodik deklaroi se Republika Sërpska “nuk do të heqë dorë nga ‘sovraniteti’ për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian”.
Një intervistë në dhjetor për kanalin televiziv Rusia 24 ishte e ngjashme.
Në të, ai e justifikoi pushtimin rus të Ukrainës dhe e akuzoi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky – pa ndonjë provë – për pushtimin e territoreve të banuara nga rusët në Ukrainën lindore.
Pak kohë më parë, ai i tha agjencisë TASS se Bosnje e Hercegovina nuk do t’i bashkohej NATO-s, sepse Republika Sërpska e kundërshton një gjë të tillë, dhe shtoi se vetëm bashkëpunimi me Rusinë “mund ta shpëtojë Evropën nga kolapsi”.
Nga Moska kishte po ashtu mesazhe se, pavarësisht afrimit me Uashingtonin, ata ende e mbështesin Dodikun dhe partinë e tij, SNSD.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, në prag të zgjedhjeve të përsëritura presidenciale në Republikën Sërpska në fillim të shkurtit, deklaroi se bëhet fjalë për një fushatë nga Perëndimi “për ta destabilizuar Republikën Sërpska”.
Cila është strategjia e Dodikut?
Tanja Topiq, analiste politike nga Banjalluka, thotë për Radion Evropa e Lirë se Dodiku po ndjek politikën e “të ulurit në dy karrige”, duke u përpjekur të balancojë midis Moskës dhe Uashingtonit.
Kjo politikë, sipas saj, është e ngjashme me strategjinë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Ajo shton se Dodiku, pas heqjes së sanksioneve amerikane, e ka tërhequr veten ngadalë nga “përqafimi” i Rusisë, “megjithëse, nuk është tërhequr plotësisht nga ai përqafim dhe sigurisht që nuk do ta bëjë këtë”.
“Ai do të përpiqet të mos e rrezikojë vullnetin e mirë që SHBA-ja ka aktualisht, por, thjesht, do të përpiqet të balancojë dhe të luajë në dy karrige”, thotë Topiq.