Dogana vëren se veturave po u shtohen kilometra për t’u zhvlerësuar, gjoba në 8 raste.
Përmes një reagimi për media, Dogana e Kosovës informon qytetarët se është duke hasur në raste kur kilometrat e veturave të përdorura rriten me qëllim të tentimit të pagesës më të ulët.
“Kodi doganor i Kosovës neni 276 pika për shkak të shmangieve në detyrimet doganore aplikon gjoba financiare ndaj personave që i kanë paraqitur për zhdoganim veturat”.
Dogana njofton se gjatë javës së kaluar si dhe gjatë kësaj javë (26.08.2019 deri 04.09.2019) ka identifikuar 8 raste të veturave të cilat janë paraqitur për zhdoganim, ku pas verifikimit të kilometrave, janë identifikuar se kanë të bëjnë me mashtrim në kilometra, duke deklaruar më shumë kilometra sesa që kanë pasur realisht veturat.
Në të gjitha rastet kryesit janë penalizuar me rreth 5 mijë euro gjobë, njofton Dogana.
“Dogana e Kosovës-Sektorët përkatës do të vazhdojnë të bëjnë verifikimin e kilometrazheve të kaluara të veturave që do të zhdoganohen prandaj i bëjmë apel të gjithë qytetareve, që mos të bien pre e personave të pandërgjegjshëm, të cilët munden edhe t’i ofrojnë ofertat për manipulime të kilometrazhit të veturës, me qëllim shmangieje nga detyrimet doganore sepse gjobat dhe taksat doganore prapë do t’i paguajë qytetari që e zhdoganon veturën”, thuhet në njoftimin nga Dogana.