Dogana konfiskon mallra në vlerë 10 mijë euro në Fushë-Kosovë

12:32 | 14 Shtator 2023
dogana-konfiskon-mallra-ne-vlere-10-mije-euro-ne-fushe-kosove

Dogana e Kosovës njofton se në vazhdim të aksionit të 11 shtatorit 2023, janë konfiskuar mallra në vlerë 10 mijë euro në Fushë-Kosovë.

Në njoftim thuhet se pas parandalimit të tentativës së kontrabandës së auto-pjesëve dhe instrumenteve tabelorë në pikëkalimin kufitar të Vërmicës më 11 shtator 2023, njësitë e Doganës kanë vijuar hetime për të ndalur veprimtarinë e paligjshme të kësaj natyre.

Si rezultat i hetimeve, Dogana njofton se është arritur të lokalizohet objekti ku këto pjesë të makinave tregtoheshin në mënyrë të padeklaruar.

“Pas identifikimit të lokacionit është bërë edhe bastisja e këtij lokacion në Fushë Kosovë. Në objekt janë gjetur pjese rezervë, ulëse dhe pjese të tjera të enterierit të veturave. Personat përgjegjës nuk ka pasur dokumentacion përkatës dhe dyshohet se është i kontrabanduar në territorin e Republikës së Kosovës. Vlera e mallit të konfiskuar llogaritet të jetë rreth 10,000 Euro”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se lidhur me këtë rast është njoftuar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë./Front Online

Komento: