Dogana nuk e lejon të futet në Kosovë armaturën e cilësisë së dobët

22:14 | 16 June 2021

Cilësia e dobët e armaturës, Dogana nuk e lejon të futet në Kosovë.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka mobilizuar Inspektoratin e Tregut për të ngritur sigurinë e produkteve në treg, mbrojtjen e konsumatorit, si dhe mbrojtjen e konkurrencës.

Siç njoftohet nga MINT, ky mobilizim është koordinuar edhe me Doganën e Kosovës në pikën kufitare në Vërmicë.

“Inspektorët e tregut kanë marrë nga 5 mostra të produkteve ndërtimore “shufra çeliku – armaturë φ12mm, të kualitetit B500C”, nga tre importues të ndryshëm”.

Sipas tyre, mostrat janë testuar në Laboratorin e akredituar dhe për secilën mostër janë testuar nga 8 parametra.

“Referuar raporteve të lëshuar nga Laboratori i akredituar, rezulton që në të tri ngarkesat është shfaqur jo-konformiteti sipas Standardit EN 10080, prandaj Inspektorati i Tregut ka marrë vendim që produktet e ndërtimit shufra çeliku – armaturë φ12mm të mos lejohen të vendosen në tregun e brendshëm për shkak se të njëjtat nuk plotësojnë kërkesat sipas Ligjit nr. 06/l-033 për Produkte të Ndërtimit, gjegjësisht sipas Standardit përkatës EN 10080”, thuhet në njoftim.

Tutje thekohet se produktet e lartcekura, të të njëjtit prodhues, nuk lejohet të futen në tregun e brendshëm të Republikës së Kosovës derisa të mos eliminojnë jokonformitetin e cekur më lartë.

“…Po ashtu edhe produktet e njëjta (shufra çeliku – armaturë), të cilat importohen nga prodhues të shteteve të tjera, para hyrjes në tregun e brendshëm, do të verifikohen nga Inspektorati i Tregut i MINT”.

Inspektorati i Tregut do të vazhdojë me verifikimin e sigurisë së produkteve, në bashkëpunim të ngushtë me operatorët ekonomikë dhe organet e tjera përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe standardeve në fuqi.

Komento: