Performanca e mirë e Doganës së Kosovës dhe të hyrat rekorde për këtë vit, do t’i sigurojnë buxhetit të shtetit mbi 1 miliard e 248 milionë euro, aq sa është paraparë projeksioni i Qeverisë së Kosovës.
Aktualisht të hyrat nga Dogana kapin shifrën e 1 miliard 164 milionë euro, që nevojiten edhe 90 milionë euro që të arrihet kjo shumë, ndonëse kanë mbetur edhe 1 muaj e gjysmë deri në përfundim të këtij viti.
Marrë parasysh që të hyrat mujore arrijnë deri në 85 milionë euro, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se projeksioni i paraparë nga Qeveria do të tejkalohet për 40-50 milionë euro.
“Projeksioni i paraparë nga Qeveria ka qenë 1 miliard e 248 milionë euro, derisa për momentin që po flasim jemi te 1 miliard 164 milionë euro, na nevojiten edhe 90 milionë euro që të arrihet kjo shumë, e ku dihet që muaji i doganës grumbullon rreth 85-90 milionë brenda një muaji dhe mund të themi se në bazë të këtij trendi aktual, të arrijmë t’i tejkalojmë projeksionet buxhetore për 40-50 milionë euro, gjithmonë në bazë të trendëve aktuale. Pra presim që të kemi një rritje apo tejkalim të projeksioneve buxhetore”, u shpreh Stavileci.
Vitin 2021, Stavileci e quan vit më të mirë në këto 20 vite funksionim. Krahasuar me dy vitet paraprake, të hyrat në këtë vit janë rritur për 154 milionë.
“Mund të them se vitit 2021, performanca e Doganës ka qenë ndoshta më e mira në këto 20 vitet të Doganës. Ne për momentin që po flasim kemi arritur një shifër rekord të të hyrave, ku për momentin jemi 1 miliard 164 milionë euro, që në krahasim me vitin e kaluar paraqet rritje prej 280 milionë euro apo 33 për qind më shumë se vitin e kaluar.Por e dimë që 2020-ta ka qenë vit pandemik ku ekonomia kosovare dhe botërore ka pasur vështirësi të mëdha, por edhe nëse e krahasojmë me vitin 2019, jemi prapë në suaza të rritjes, ku në 2019-ën në të njëjtën periudhë kemi pasur 975 milionë, ku rritja 2021-2019, është 154 milionë euro. Në përgjithësi performanca të hyrat gjatë këtij viti janë të jashtëzakonshme”, u shpreh ai.
Si faktor kryesor të rritjes së të hyrave për këtë vit, Stavileci e sheh luftimin e kontrabandës. Ndërkaq bllokada dy javësh në pikat kufitare me Serbinë, s’kanë qenë fort problem për këtë institucion, pasi sipas tij trafiku komercial ka devijuar në pikat tjera kufitare.
“Në përgjithësi faktorët janë të ndryshëm duke filluar nga performanca e ekonomisë së përgjithshme në Kosovë, se ne nuk mund të mbledhim të hyra nëse nuk performon ekonomia mirë. Mandej ka pasur faktorë të tjerë të cilët ndikojnë në mënyrë direkte dhe disa tjerë në mënyrë indirekte. Në mënyrë direkte ka qenë lufta e pakompromis e doganës në aspektin e luftimit të kontrabandës.Nuk mund të them se ka pasur ndikim të madh, për arsye se trafiku komercial vetëm ka devijuar. Trafiku komercial ka devijuar nga Merdara dhe Dheu i Bardhë, kështu që nuk mund të themi se kemi vërejtur ndonjë efekt. Edhe të hyrat tregojnë se gjatë atyre ditëve ka vazhduar tregtia në formën e vet normale”, ka thënë Stavileci për EO.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj, tha se Qeveria duhet të jetë e fokusuar për të forcuar prodhimet vendore.
“Së pari është diçka e mirëseardhur, është diçka e mirë për qytetarët dhe ekonominë e vendit. Ne tano jemi të ngulfatur nga importi, dhe kjo Qeveri është ardhur për ta forcuar prodhimet vendore, nëse edhe kjo e ka fokusin te dogana dhe importi dhe kjo mënyrë e qeverisjes nuk është e pritur nga qytetarët.Ne jemi për ekonomi të hapur, ish dashtë të jemi të fokusuar në prodhimin vendor. Kjo Qeveri është e fokusuar vetëm ta mbush arkën pa marr parasysh se nga vijnë ato të hyra”.