Doganieri i akuzuar për korrupsion: Kurrë s’kam pranuar ryshfet, këto janë trillime të hetuesisë

18:04 | 27 Shtator 2023
doganieri-i-akuzuar-per-korrupsion:-kurre-s’kam-pranuar-ryshfet,-keto-jane-trillime-te-hetuesise

Në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i akuzuari për korrupsion, Bekim Kqiku gjatë mbrojtjes së tij tha se që nga viti 2000 deri 2022 ka qenë duke punuar në doganë, teksa ka theksuar se nuk ka marrë asnjëherë të holla nga persona të ndryshëm.

“Nuk kam pranu kurrfarë të holla, këto kanë qenë trillime të hetuesisë që i bëjnë njerëzve shantazhe”, tha i akuzuari Kqiku.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Kqiku, avokati Tomë Gashi deklaroi që si mbrojtje së bashku me avokatin tjetër mbrojtës Shemsedin Pira, janë konsultuar me të mbrojturin e tyre në këtë rast Bekim Kqiku, që i njëjti të mbrohet në heshtje.

Mirëpo përkundër përpjekjeve të avokatëve që i njëjti të mos jep mbrojtjen e tij, i akuzuari Bekim Kqiku kishte vendosur të deklarohet rreth çështjes për të cilën po akuzohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e avokatit Gashi, se a kishte punuar si doganier në Mitrovicën e veriut, ky i fundit tha se kishte punuar në atë pjesë, në pikat e improvizuara.

“Po kam punuar në pikat e improvizuara dhe kam punuar më shumë se të gjithë kolegët e mi, aty ka pas rrezikshmëri”, tha Kqiku.

I njëjti ka sqaruar se mallrat të cilat nuk i nënshtrohen procesit doganor, janë mallrat jokomerciale apo private, e që vlera sa kishte qenë duke punuar kishte qenë 175 euro, e që kjo është e rregulluar me kodin doganor.

Ai shtoi se në periudhën e parë të vitit 2021 ka qenë duke punuar në pikën kufitare Hani i Elezit dhe në Glloboqicë.

Prokurorja Sebahate Sinani, e ka pyetur të akuzuarin Kqiku, se a e njeh personin e quajtur Leotrim Rexhepi me nofkën Leo?, i akuzuari Kqiku tha se këtë person nuk e kishte njohur më parë, ndërsa tani e njeh.

I njëjti, tha se kishte biseduar disa herë në telefon me personin e quajtur Leo, sipas tij biseda kishte qenë e natyrës private, ndërsa shtoi se nuk ishin takuar asnjëherë.

“Po kam biseduar në telefon, natyra bisedës ka qenë private, thjesht kam pas me rregullu një fellne të kerrit tim, me të njëjtin kurrfarë raporte nuk kam, nuk jemi taku nuk kemi pirë kafe”, tha Kqiku.

Prokurorja Sinani, e ka pyetur të akuzuarin Kqiku se a e kishte ndal për kontroll Leon në pikën kufitare në Glloboqicë më 16 prill 2021?, i akuzuari Kqiku tha se nuk e kishte ndaluar.

“Nuk e kam ndaluar dhe nuk e kam ditë cili është, unë kam qenë i stacionuar në anën e djathtë të trakës për kontroll detale së bashku me policinë, Leo ka kaluar në trakën normale”, tha i akuzuari Kqiku.

I pyetur nga prokurorja Sinani, se a e njeh personin e quajtur Lulzim Sadiku, i akuzuari Kqiku tha se e njeh si figurë dhe e kishte takuar dy herë në kufi tek pika Dheu i Bardhë.

I akuzuari Kqiku, shtoi se me Lulzimin kishte biseduar përmes telefonit, ndërsa më parë nuk kishte qenë në dijeni se çfarë veprimtarie ka kryer i njëjti.

Prokurorja Sinani e ka pyetur se a kishte pranuar të holla nga Lulzim Sadiku, i akuzuari Kqiku tah në asnjë mënyrë.

Tutje, i akuzuari Kqiku është pyetur nga prokurorja Sebahate Sinani, nëse i njëjti a e njeh personin e quajtur Fehmi Raçi, i njëjti tha se e njeh vetëm si person të moshuar.

Në pyetjen vijuese të prokurores Sinani, se a kishte kaluar në pikën kufitare Fehmi Raçi sa i akuzuari ishte në kontroll, i akuzuari Kqiku tha se i njëjti kishte kaluar dhe se e kishte kontrolluar mirëpo i njëjti nuk kishte pas mall, duke shtuar se aty gjatë kontrollës kishte pas dhe kolegë të tjerë.

Në këto rrethana prokurorja Sebahate Sinani, të akuzuarin Bekim Kqiku e ka ballafaquar me një transkript telefonike në bazë të së cilës është zhvilluar një bisedë në mes të tani të akuzuarit Bekim Kqiku dhe Fehmi Raçi:

Bekim Kqiku: M’fal se nuk e kam dëgju, unë fix në ora 17:00 aty jam, ku je ti?

Fehmi Raçi: Unë jam ndal në mes zonë!

Bekim Kqiku: Hallall t’koft, çfarë vlere ki?

Fehmi Raçi: I kam nja 9 kalema qasi!

Në bazë të kësaj transkripte, prokurorja Sinani e ka pyetur të akuzuarin Kqiku, a ka pas apo nuk ka pas mallë Fehmi Raçi?, i akuzuari Kqiku tha se nuk ka pas mallë. Ndërsa sa i përket kësaj bisede i njëjti tha se është zhvilluar për makarën e drurit të cilin ia kishte kërkuar.

“Atë ditë a ke pranu shumën e të hollave prej  20 euro nga Fehmia, gjatë kalimit të tij në kufi” e ka pyetur prokurorja Sinani, ndërsa i akuzuari Kqiku tha se nuk kishte pranuar të holla.

Tutje, prokurorja Sebahate Sinani, të akuzuarin Kqiku e ka pyetur se a e njeh dhe a ka biseduar me personin e quajtur Astrit Murataj, i akuzuari Kqiku tha se nuk e ka njohur deri ditën e djeshme që ka ardhë në gjykatë.

Prokurorja Sinani e ka pyetur të njëjtin, a kishte sjell Astriti mall atë ditë nga Maqedonia në Kosovë, i akuzuari Kqiku tha se nuk ka pas mall të karakterit komercial, por ka pasur vetëm veget dhe biber.

Në fund të mbrojtjes së tij, i akuzuari Kqiku tha se nuk kishte pranuar nga askush të holla, krejt këto kishin qenë trillim i hetuesisë që sipas tij, u bëjnë njerëzve shantazhe të tilla.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 18 tetor 2023, ku pritet të jepet fjala përfundimtare e palëve.

Sipas dispozitivit I të aktakuzës, i pandehuri Bekim Kqiku, më 16 prill 2021, në pikën kufitare në Glloboçicë, në cilësinë e personit zyrtar, si zyrtar doganor pranë Doganës së Kosovës, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete ose për personin tjetër, me dashje kishte shkelur ligjin lidhur me detyrat apo punësimin e tij, të parapara me Kodin Doganor dhe të Akcizës së Kosovës, Nr.03/L-109, Udhëzimet administrative të brendshme dhe standardet e sjelljes dhe etikës sipas Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës.

Në akuzë thuhet, i pandehuri derisa ishte në detyrë, kishte biseduar paraprakisht me personin e quajtur Leutrim Rexhepi dhe të njëjtin e kishte njoftuar lidhur me kohën kur është i caktuar kontrolli me rastin e kalimit të kufirit, me ç’rast i kishte mundësuar që ta kalojë pikën kufitare duke kontrabanduar mallra nga Republika e Maqedonisë së Veriut, në Republikën e Kosovës, pa iu nënshtruar fare procedurave ligjore të kontrollit, ndërsa si shpërblim për shërbimin e kryer ishte marrë vesh me Leutrimin që i njëjti t’ia rregullojë një pjesë të veturës.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 3, nënparagrafi 3.1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Sipas pikës II të aktakuzës, më 19 mars 2021, rreth orës 16:53 në pikën kufitare në Han të Elezit, i pandehuri në cilësinë personit zyrtar si zyrtar doganor pranë Doganës së Kosovës, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore, duke vepruar në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte pranuar ryshfet nga i pandehuri Fehmi Raçi, ashtu që sipas aktit akuzues, nga i njëjti me rastin kalimit të kufirit kishte pranuar shumën e të hollave prej 20 euro, duke i mundësuar kështu kalimin e pikës kufitare dhe futjen e mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit.

Tutje, sipas pikës III të aktakuzës, thuhet se më 21 mars 2021, rreth orës 14:30 në Ferizaj, tek pompa e derivateve “Hib Petrol”, i pandehuri në cilësinë personit zyrtar si zyrtar doganor pranë Doganës së Kosovës, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore, duke vepruar në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte pranuar 50 euro ryshfet nga i pandehuri Astrit Murataj, ndërsa të njëjtit i kishte mundësuar kalimin e pikës kufitare dhe futjen e mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit.

Sipas pikës IV të aktakuzës, i njëjti më 18 maj 2021, rreth orës 17:20 në pikën kufitare në Han të Elezit, në cilësinë personit zyrtar si zyrtar doganor pranë Doganës së Kosovës, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore, duke vepruar në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte pranuar ryshfet nga i pandehuri Lulzim Sadiku, ashtu që nga i njëjti me rastin kalimit të kufirit kishte pranuar shumën e të hollave prej 70 euro, edhe atë një kartëmonedhë prej 50 euro dhe një kartëmonedhë prej 20 euro, duke i mundësuar kështu kalimin e pikës kufitare dhe futjen e mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit.

Me këtë, akuzohet se ka kryer në vazhdim ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 të KPRK – së.

Po ashtu, në këtë aktakuzë përfshihen edhe 3 të akuzuar të tjerë, Lulzim Sadiku, Fehmi Raçi dhe Astrit Murataj, të cilët më 19 tetor 2021 në seancën fillestare kanë pranuar fajësinë për veprat me të cilat ngarkoheshin. Andaj, gjyqtari Ibrahim Idrizi, ka bërë veçimin e procedurës ndaj të pandehurve Lulzim Sadiku, Fehmi Raçi dhe Astrit Murataj, si dhe ndaj tyre është shpallur aktgjykimi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtari Ibrahim Idrizi, i akuzuari Lulzim Sadiku është dënuar me dënim unik 10 mijë euro gjobë.

Ndërsa, të akuzuarit Fehmi Raçi dhe Astrit Murataj janë dënuar me gjobë në shumë prej 500 euro (secili veç e veç) si dhe të njëjtit po ashtu veç e veç janë dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 3 muaj, i cili dënim në bazë të nenit 44 të KPRK-së, me pëlqimin e të akuzuarve është zëvendësuar me dënim gjobe në shumë prej 1 mijë e 500 euro.

Kështu, sipas dispozitivit V të aktakuzës, i pandehuri Lulzim Sadiku, ngarkohej se nga tetori i vitit 2020 deri më 18 maj 2021, rreth orës 17:20, në pikën kufitare në Han të Elezit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, kishte bartur mallra dhe ka kaluar vijën kufitare duke shmangur kontrollin doganor, në atë mënyrë që me rastin e ndaljes dhe kontrollit nga hetuesit doganor , në veturën e të pandehurit të markës “Nissan Pulsar”, i janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e barnave prej 15 artikuj, përkatësisht 1 mijë e 385 pako si dhe 248 copë, ndërsa me rastin e kontrollit të depos – garazhës së tij, i ishin gjetur dhe sekuestruar, edhe një sasi tjetër e barnave prej 359 artikuj, gjithsej 16 miijë e 290 pako, vlera e përgjithshme e të cilave kap shumën prej 80 mijë e 61 euro e 6 centë.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi i mallrave”, nga neni 311, paragrafi 1 të KPRK – së.

Po ashtu, i njëjti sipas dispozitivit VI të kësaj aktakuze, akuzohej se më 18 maj 2021, rreth orës 17-20 në pikën kufitare në Han të Elezit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, në mënyrë të drejtpërdrejtë i kishte ofruar dhuratë të paarsyeshme apo përfitim tjetër personit zyrtar, përkatësisht zyrtarit doganor Bekim Kqiku, në mënyrë që i njëjti të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare.

Në akuzë thuhet se i pandehuri i kishte dhënë shumën e të hollave prej 70 euro, për çka edhe ishin marrë vesh paraprakisht përmes telefonit, me qëllim që të mos i nënshtrohet procedurave ligjore të kontrollit kufitar.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, paragrafi 2 të KPRK-së.

I pandehuri Fehmi Raçi sipas dispozitivi  VII të aktakuzës, akuzohej se më 19 mars 2021, rreth orës 16:53, në pikën kufitare në Han të Elezit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, në mënyrë të drejtpërdrejtë i kishte ofruar dhuratë të paarsyeshme apo përftim tjetër personit zyrtar, përkatësisht zyrtarit doganor Bekim Kqiku, në mënyrë që i njëjti të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, ashtu që i kishte dhënë shumën e të hollave prej 20 euro, për shërbimin e kryer ngase i kishte mundësuar futjen e mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit kufitar.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, paragrafi 2 të KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri Astrit Murataj sipas dispozitivit VIII të aktakuzës, thuhet se më 21 mars 2021, rreth orës 14:30, në Ferizaj, tek pompa e derivateve “Hib Petrol”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, në mënyrë të drejtpërdrejtë i kishte ofruar dhuratë të paarsyeshme apo përftim tjetër personit zyrtar, përkatësisht zyrtarit doganor Bekim Kqiku, në mënyrë që i njëjti të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, duke i dhënë shumën e të hollave prej 50 euro, për shërbimin e kryer ngase i kishte mundësuar futjen e mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit kufitar.

Me këtë, akuzohej ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422, paragrafi 2 të KPRK– së.

Komento: