Dokumentet e Delegacionit për dialog do të konsiderohen sekret shtetëror

20:28 | 25 December 2018

Ditë në parë është mbajtur mbledhja e parë e delegacionit shtetëror për dialogun me Serbinë, që do të udhëhiqen nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti

Një dokument me 19 nene do të kornizojë punën e ekipit negociator të Kosovës për bisedimet me Serbinë.
Bazuar në përmbajtjen e tij, ky dokument do të ketë statusin e ligjit special, dhe çdo normë që bie në kundërshtim me të, nuk do të vlejë, raporton T7.

Ky projektligj, parasheh që delegacioni shtetëror mandatohet nga Kuvendi.

Delegacioni Shtetëror për dialogun me Republikën e Serbisë do të mandatohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Delegacioni Shtetëror do të jetë organi i vetëm i autorizuar për ta drejtuar Dialogun. Në këtë drejtim Delegacioni konsultohet me Institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës
Por, sic dihet tashmë ky delegacion është themeluar ende pa hyrë në fuqi ky ligj.

Pavarësihtë kësaj, ky dokument parasheh mënyrën se si do të funksionoj delegacioni që do të përbëhet nga 11 persona.

Madje është precizuar edhe mënyra e përfaqësimit në dialog.

Delegacioni Shtetëror nuk mund ta udhëheqë ose përfaqësojë vetëm njëri nga bashkëdrejtuesit.
Ky delegacion, duhet të hartojë Platformës Shtetërore, dhe Strategjinë Negociuese të Delegacionit Shtetëror.

Ndërkohë, përmes këtij ligji do të obligohen të gjithë akterët e përfshirë në bisedime që t’ia dorëzojnë delegacionit të gjitha marrëveshjet dhe materialet e deritanishme.

Ndërsa është saktësuar edhe roli i institucioneve të tjera kushtetuese në procesin e dialogut.

Në rastet kur ndonjërit nga Institucionet Kushtetuese të Republikës së Kosovës (Presidenti, Kryeministri, Kryeparlamentari, etj.) i dërgohet ftesë formale nga ana e ndërmjetësuesit në procesin e Dialogut, vendimi për të do të merret gjithnjë në bashkërendim dhe dakordim në mes të Delegacionit Shtetëror dhe institucionit kushtetues të ftuar. Në çdo takim të tillë, përveç institucionit të ftuar të pranishëm do të jenë edhe bashkëdrejtuesit e Delegacionit Shtetëror.
E pos kësaj, sipas këtij projektligji vendimet nuk mund të merren me më pak se 2/3 e votave.

Vendimet në Delegacionin Shtetëror merren me unanimitet, pajtueshmëri të të gjithë anëtarëve të tij. Nëse pas dy tentimeve për vendimmarrje dëshmohet se unanimiteti është i pamundshëm, një vendim konsiderohet i miratuar kur i fiton votat e dy të tretave (2/3) të të gjithë anëtarëve të pranishëm.
Për mbikëqyrjen e punës se delegacionit shtetëror, është paraparë të themelohet një komision i veçantë i Kuvendit.

Ndërsa të gjitha materialet e tij do të konsiderohen si sekret shtetëror.

Komento: