Dokumentet e Serbisë për serbët e Kosovës – ilegale por të njohura në praktikë

19:47 | 26 Korrik 2024
dokumentet-e-serbise-per-serbet-e-kosoves-–-ilegale-por-te-njohura-ne-praktike

Vendim “i padrejtë dhe i dëmshëm”, si dhe “cenim i integrimit të serbëve të Kosovës” – këto ishin disa prej cilësimeve që liderët e Kosovës i bënë një vendimi të fundit të Bashkimit Evropian për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë për Kosovën.

Këto lloj pasaporta, që Serbia i lëshon kryesisht për serbët e Kosovës, konsiderohen të pavlefshme nga autoritetet kosovare, dhe ato nuk mund të përdoren për udhëtim nga Kosova.

Përveç pasaportave, Policia e Kosovës ka pohuar për Radion Evropa e Lirë se nuk njeh as letërnjoftimet që Serbia i lëshon për qytetarët e Kosovës.

“Dokumentet e potencuara nuk njihen dhe nuk janë të vlefshme për autoritetet e Republikës së Kosovës”, tha Policia më 24 korrik, e pyetur nëse njeh këto letërnjoftime.

Praktika, megjithatë, tregon se aktualisht, të paktën në pikat kufitare Kosovë-Serbi, qytetarët që posedojnë letërnjoftime të këtilla mund të kalojnë kufirin pa probleme.

Millica nga Graçanica (identiteti i plotë i së cilës dihet për redaksinë) shkon në Serbi të paktën një herë në muaj, përmes vendkalimeve kufitare Kosovë-Serbi në Merdarë apo në Jarinjë.

Ajo thotë se në këto udhëtime më së shumti përdor letërnjoftimin e lëshuar nga autoritetet serbe për qytetet e Kosovës, në rastin e saj nga Departamenti i Policisë për Prishtinë.

“Askush nuk më ka bërë kurrë ndonjë problem. Edhe pse e kam edhe letërnjoftimin e Kosovës, dhe ndonjëherë ua jap [policëve në vendkalim]”, tha Millica për Radion Evropa e Lirë.

Serbët nga Kosova, përgjithësisht, i marrin dokumentet e tyre personale në sistemin serb, në departamentet e policisë, të cilat u zhvendosën në qytetet e Serbisë pas luftës më 1999.

Për shembull, Departamenti i Policisë për Prishtinën është i vendosur në Nish, ai për Pejën ndodhet në Kragujevc, ndërsa Departamenti i Policisë për Mitrovicën ndodhet në Rashkë.

Autoritetet e Kosovës i konsiderojnë këto organe si institucione paralele dhe ilegale, por Beogradi zyrtar refuzon t’i mbyllë, për shkak se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008.

Policia e Kosovës, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk i është përgjigjur pyetjeve shtesë në lidhje me njohjen e këtyre dokumenteve në pikat kufitare me Serbinë.

Marina, një banore tjetër e Kosovës nga Mitrovica e Veriut, thotë se përdor letërnjoftimin e saj, të lëshuar nga autoritetet serbe, në të gjitha pikat kufitare Kosovë-Serbi.

“Vetëm në kufirin me Maqedoninë [e Veriut] dhe Shqipërinë nuk mund të përdorim letërnjoftimin e Serbisë, duhet përdorur një të Kosovës. Por, kur kaloni kufirin me Serbinë, mund të shkoni kudo me letërnjoftim serb”, thotë ajo.

Ajo thotë se nuk posedon letërnjoftim të Kosovës, pasi procedura për ta marrë “ishte e komplikuar”.

As Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur në kërkesat për koment në lidhje me çështjen e njohjes së letërnjoftimeve./REL/

Komento: