Donika Gërvalla: Nuk ka shtet të fortë pa drejtësi të fortë

16:50 | 20 Maj 2026
donika-gervalla:-nuk-ka-shtet-te-forte-pa-drejtesi-te-forte

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një vizitë në Prokuroria Themelore në Prizren, ku është pritur nga kryeprokurori Petrit Kryeziu.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gërvalla ka theksuar rëndësinë e forcimit të sistemit të drejtësisë dhe bashkëpunimit institucional për garantimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

“Nuk ka shtet të fortë pa drejtësi të fortë”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, gjatë takimit është diskutuar për sfidat dhe përgjegjësitë e institucioneve të drejtësisë, si dhe për nevojën e koordinimit institucional.

“Bashkë folëm për sfidat, përgjegjësitë dhe domosdoshmërinë e një bashkëveprimi institucional që garanton efikasitet, profesionalizëm dhe rezultate konkrete në sistemin e drejtësisë”, ka deklaruar Gërvalla.

Ajo ka thënë se reforma në drejtësi nuk duhet të shihet si debat politik, por si proces shtetëror për forcimin e sundimit të ligjit.

“Reforma në drejtësi nuk është debat politik. Është proces shtetëror që po riformëson themelet e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, është shprehur ministrja.

Tutje, Gërvalla ka përmendur pakon prej pesë ligjeve reformuese, procesin e vetingut dhe funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke i cilësuar si hapa drejt rritjes së integritetit dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë.

“Koha kur sistemi i drejtësisë toleronte pandëshkueshmërinë nuk guxon të ekzistojë më. Askush nuk guxon të jetë mbi ligjin”, ka shtuar ajo.

Komento: