Donika Gërvalla për vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe

21:29 | 26 December 2022

Gërvalla për vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Gjatë vizitës së saj zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, u prit në takim nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheiku Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se ata Gërvalla diskutoi fillimisht rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë, progresit por edhe sfidave aktuale me të cilat po ballafaqohen qytetarët e Republikës e më pas duke vazhduar bisedën gjerësisht rreth marrëdhënieve mes dy vendeve dhe mundësive se si të forcohen ato më tutje.

“U diskutuan aspekte të ndryshme për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit, duke filluar nga ato më evidentet si investimet direkte dhe ekonomia e deri tek mundësitë më praktike që prekin përditshmërinë e qytetarëve në sferën energjisë, edukimit, bujqësisë e sigurisë në ushqim”.

“Ministrja Gërvalla më tutje theksoi se përkundër sfidave politike dhe shoqërore, qytetarët e Republikës së Kosovës dhe qeveria e tyre janë gjithmonë e më të vendosur për të shënuar vazhdimisht progres në fusha të ndryshme ekonomike dhe shoqërore, të cilat edhe në raportimet ndërkombëtare vjetore po vlerësohen shumë”, thuhet në njoftim.

Gërvalla gjatë dy ditëve të ardhshme do të vazhdojë me takime me përfaqësues të ndryshëm të qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe dhe bizneseve të rëndësishme në këtë vend.

Komento: