Donika Gërvalla publikon fjalimin e plotë të diskutimit në Dubrovnik

19:21 | 10 Korrik 2021

Donika Gërvalla publikon fjalimin e plotë të diskutimit në Dubrovnik: S’ka asnjë arsye ta fajësojmë BE’në për gabimet tona.

Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, ka shpërndarë fjalimin e plotë në Forumin e Dubrovnikut të mbajtur të shtunën, ku përmenden edhe deklaratat e saj karshi integrimit në BE dhe çështjes së Mini-Schengenit.

Gërvalla-Schwarz e ka publikuar fjalimin e saj të plotë të mbajtur në forumin e së shtunës përmes një postimi në llogarinë e saj në ‘Facebook. Në fjalim, ndër të tjera, kryediplomatja kosovare ka thënë se nuk duhet të fajësohet BE’ja për çështje të integrimit në unionin europian, duke thënë se Kosova duhet të kryejë detyrat e saja në fushën e ligjit, shkruan Gazeta Express.

“Prandaj, por mbi të gjitha për veten tonë, ne duhet të përmbushim detyrat tona: Duhet të ndërtojmë shtetin ligjor, duke përfshirë edhe të qenit të ashpër ndaj korrupsionit. Duhet të garantojmë lirinë e shtypit dhe të bëjmë reformë të vërtetë ligjore. Ne ende nuk kemi arritur aty. Dhe nuk asnjë arsye pse ta fajësojmë BE-në për gabimet tona”, thuhet ndër të tjera në fjalimin e publikuar nga ajo.

Zëvendëskryeministrja përgjatë forumit ka folur edhe për çështjen e Mini-Schengenit, për çka është përplasur edhe me Sekretarin e Shtetit të Serbisë, Nemanja Staroviq. Ajo e ka cilësuar këtë projekt si “fals dhe kurth”.

“Më lini të jem shumë e qartë: nuk ka Mini-Shengen. Është Fake. Dhe është një kurth, sepse pretendon të jetë si BE-ja, pa qenë i tillë. Shengeni i vërtetë është pikërisht e kundërta e asaj që quhet Mini-Shengen, sepse Shengeni i vërtetë është krijuar jo në fillim të tregut të përbashkët evropian, por përkundrazi, ka qenë rezultat i reformave të thella dhe negociatave të ndërlikuara mes shteteve anëtare të BE-së”, ka shkruar ajo.

Komento: