Dorëheqja e Haradinajt, Gjykata Kushtetuese hesht

20:09 | 13 August 2019

Ramush Haradinaj, ende nuk ka marrë një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese.

Kërkesa e kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj, për të kërkuar një vlerësim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me funksionimin e qeverisë pas dorëheqjes së tij, ende nuk është shqyrtuar.

Mospërgjigjja, deri më tani, ndaj kërkesës së kryeministrit është duke u konsideruar e paarsyeshme nga njohës të sistemit të drejtësisë, raporton KTV.

Sipas Ehat Miftarajt, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Kushtetuesja është dashur të sqarojë menjëherë pas pranimit të kërkesës se kryeministri në dorëheqje nuk ka të drejtë fare të kërkojë interpretim nga ajo.

Në pritje të opinionit të Gjykatës Kushtetuese janë Ministria e Financave.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit Bedri Hamza, ka thënë se nuk mund të marrin asnjë vendim, deri në pranimin e opinionit nga Kushtetuesja.

Por, sipas Ehat Miftaraj, kërkesa e Haradinajt nuk do të duhej të ndikonte në marrjen e vendimeve, siç është ajo për ndarjen e mjeteve për KQZ-në.

Në anën tjetër, Gjykata Kushtetuese ka thënë se nuk kanë të përcaktuar ndonjë afat kohor për shqyrtimin e kërkesave.

“Bazuar në praktikat e deritanishme me kërkesat institucionale, që ngërthenin në vete situata më urgjente, koha minimale për vendimmarrjen e Gjykatës varion nga një muaj e gjysmë deri në dy muaj”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit pas ftesës për intervistim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Komento: