Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Vuçiq pas dorëheqjes së Haradinajt.
Lajmi për dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit ka bërë bujë në mediat e rajonit dhe ato ndërkombëtare.
Sipas Tanjugut të Serbisë, Aleksandër Vucic, do të reagojë nesër lidhur me vendimin e Haradinajt.
“Presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të reagojë nesër rreth dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinajt në Prishtinë dhe implikimet e mundshme të dorëheqjes së tij”, shkruajnë mediat serbe.
Haradinaj ka dhënë dorëheqje pasi është ftuar nga Gjykata Speciale. Ramush Haradinaj ka njoftuar kabinetin qeveritar me vendimin e tij për të dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryeministrit. Kryeministri ka thënë se e bën këtë pas ftesës së që ka marrë për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë. Kryeministri në largim ka theksuar se ai nuk dëshiron në asnjë mënyrë të dëmtojë imazhin e Kosovës dhe se para drejtësisë do të përballet si individ, dhe beson thellë në pastërtinë dhe drejtësinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.