Dorëheqja e Theresa May, vjen reagimi i Angela Merkel

12:22 | 25 May 2019

Theresa May ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministres së Britanisë së madhe.

Shtetet e tjera të BE të tërhequra kur pyeten për pasojat për procesin e Brexit. E qartë është se edhe kryeministri i ardhshëm i Londrës nuk mund të presë ndonjë trajtim të veçantë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel “e mori në konsideratë me respekt” njoftimin e dorëheqjes së kryeministres britanike Theresa May”. Zëvendëszëdhënësja e qeverisë, Martina Fietz tha në Berlin se Merkeli ka punuar gjithmonë me besim me May-n dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë për sa kohë që May është në detyrë. Ajo nuk donte të jepte një vlerësim, se si do të ndikojë ky hap për largimin e planifikuar të Britanisë së Madhe nga BE. Qeveria federale mban një marrëdhënie të ngushtë me Britaninë e Madhe. Fietz tha vetëm”Kjo do të vazhdojë të jetë kështu.

Brukseli: Nuk ka ndryshime në pozicionin e BE

May kishte njoftuar pak më parë (24.05) në Londër se do të heqë dorë më 7 qershor nga posti i saj si kryetare e Partisë Konservatore . Në këtë mënyrë, janë të numëruara edhe ditët e saj si kryeministre.

Kreut të partisë britanike në pushtet tradicionalisht i rezervohet edhe postii i kryeministrit. May ka dështuar në parlament tri herë me marrëveshjen e daljes nga BE, marrëveshje të cilën ajo e ka negociuar me Brukselin. Për këtë arsye, ajo pati rënë dakord me krerët e shteteve dhe qeverive të tjera të BE për një shtyrje të Brexitit deri në 31 tetor, pasi, fillimisht dalja planifikohej për në mars.

Një zëdhënëse e Komisionit të BE tha në Bruksel se presidenti Jean-Claude Juncker do të punojë me pasardhësin e Mayit po me aq respekt sa me Mayn.

Pozicioni i Bashkimit Evropian ndaj Brexitit nuk do të ndryshojë, u tha. As qeveria e Irlandës nuk pret që BE të ofrojë një marrëveshje të re apo edhe më të mirë për Brexitin për një kryeministër të ri britanik. Nga perspektiva e BE, durimi për Brexitin ka arritur fundin, tha ministri i Jashtëm irlandez Simon Coveney. Ai mendon se një Brexit pa marrëveshje tani ka më shumë gjasa se kurrë. Por kjo ende mund të shmanget, thotë Coveney.

Një përfaqësues i presidentit francez Emmanuel Macron nuk pranoi të deklarohej për pasojat e mundshme të dorëheqjes së planifikuar të kryeministres britanike. Megjithatë rëndësi thelbësore ka që institucionet e BE të punonin, tha ai. BE ka nevojë për një sqarim të shpejtë të hapave të ardhshëm në Britani. Për të spekuluar mbi pasojat e vendimit të Mayt, sipas tij është shumë herët.

Udhëheqësi i Laburistëve bën thirrje përsëri për zgjedhje të reja

Udhëheqësi i opozitës britanike Jeremy Corbyn edhe një herë bëri thirrje për zgjedhje të reja. As May as Partia Konservatore e tyre e përçarë nuk janë në gjendje të qeverisin vendin, tha laburisti. Vendimi i Mayt për të dhënë dorëheqjen ishte i drejtë, tha ai.

Komento: