Doktori Blerim Feka, shef i Repartit të Gjinekologjisë në Spitalin e Vushtrrisë, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij dhe nga detyra e mjekut në këtë spital, pas përplasjes verbale me familjarin e një pacienti.
Lajmin është konfirmuar Drejtoria e Spitalit të Vushtrrisë.
“Dr. Blerim Feka, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga detyra e mjekut specialist dhe e ka njoftuar Spitalin për shkëputjen e Kontratës së punës për arsye personale”, kanë thënë për telegrafin.
Ndryshe, në një video-incizim që është shpërndarë në rrjetet sociale, doktori Blerim Feka shihet duke debatuar ashpër me familjarin e një pacienti, i cili kërkon që ta lejojë ta shohë fëmijën e tij të sëmurë. Sipas qytetarit, mjeku gjinekolog nuk ka pasur sjellje të hijshme karshi gruas së tij, e cila i është drejtuar Fekës për komunikim dhe i njëjti dyshohet të ketë bërtitur nëpër spital.