Dorëzohet Daçiq, nuk beson se KS i OKB-së do të çmilitarizojë Ushtrinë e Kosovës

18:43 | 17 December 2018

Krijimi i ushtrisë së Kosovës do të diskutohet sot në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se Serbia, në seancën e sotme të KS të OKB-së për Ushtrinë e Kosovës, do të kërkojë që të respektohet Rezoluta 1244 e këtij Këshilli, të çmilitarizohet Kosova dhe që KFOR-i të jetë e vetmja forcë e armatosur.

“Por, a do të vijë deri tek kjo? Vështirë. Dihet që moti se disa fuqi të mëdha nuk respektojnë multilateralizmin politik, por shkojnë kah unilateralizmi”, ka thënë sot Daçiqi.

Ai shtoi se formimi i Ushtrisë së Kosovës është shkelje direkte e Rezolutës 1244, dhe se do të ishte e logjikshme që KS i OKB-së të merrte një vendim për “anulimin e asaj organizate”, por tha se nuk pret që do të ndodhë një gjë e tillë pas parasysh qëndrimet e ndryshme politike të vendeve, por theksoi se “është me rëndësi se çfarë qëndrimi kanë karshi shkeljes së Rezolutës”.

Daçiqi u shpreh se është me rëndësi që një veprim i tillë, siç është formimi i Ushtrisë së Kosovës, “të dënohet”.

Sipas tij, “Rezoluta 1244 flet qartë për demilitarizimin e Kosovës, dhe se formimi i Ushtrisë së Kosovës është kthim në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)”.

Kreu i diplomacisë serbe tha se në KS të OKB-së, Serbia do të përfaqësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq, ndërsa, sipas tij, Kosova do të përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi, por që atij do t’i referohet si “zotëri, e jo si president”.

Sipas tij, për mbajtjen e kësaj seance asnjë shtet nuk ka qenë kundër, por “Britania e Madhe, SHBA-ja, Franca, Polonia dhe Holanda kanë qenë për seancë të mbyllur, ndërsa gjashtë shtete kanë kërkuar seancë të hapur”.

Komento: