Ekipi negociator e ka dorëzuar në Kuvend platformën për dialog.
Ekipi negociator ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës për t’i dorëzuar kryeparlamentarit Kadri Veseli platformën për dialogun me Serbinë.
Draft-platforma e hartuar nga delegacioni i Kosovës thotë se sovraniteti i Kosovës është i padiskutueshëm .
Kjo Platformë përcakton parimet dhe qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut.
Ajo synohet arritja e konsensusit sa më të gjerë politik dhe shoqëror në procesin e dialogut me Serbinë.
Në këtë draft-dokument thuhet se qëllimi kryesor i Republikës së Kosovës është që nga Republika e Serbisë të sigurojë njohjen dhe pranimin e qartë të sovranitetit të Kosovës si shtet i pavarur, me zotime ligjërisht të detyrueshme.
Më tej thuhet se Marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme duhet të jetë e qartë dhe pa dykuptimësi.
“Përvoja tregon se qasja e dykuptimёsisё konstruktive ka rezultuar në zbatimin asimetrik të marrëveshjeve të arritura deri më tani”.
“Çdo marrëveshje përfundimtare duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila parasheh që ‘sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj’”.