Dortmund e nis me këmbë të mbarë daljen nga Covid-19.
Borussia Dortmund ka shkatërruar skuadrën e Schalke 04.
‘Verdhezinjt’ shënuan fitore bindëse, me rezultatin 4:0, për të arkëtuar tri pikët e reja në Bundesliga, të parat pas suspendimit të futbollit nga pandemia Covid-19, shkruan lajmi.
Goli i parë në këtë takim erdhi vetëm 28 minuta pas fillimi të ndeshjes, kur Erling Haaland shfrytëzoi asistimin e Thorgan Hazard dhe i dha epërsinë skuadrës së Lucien Favre.
Dortmund gjeti golin edhe një herë në pjesën e parë, një minutë para fundit të 45 minutëshit, me anë të Raphaël Guerreiro.
Skuadra e Favre linte përshtypjen se nuk kishte ndalur fare stërvitjet, kur në kundërsulmin e minutës së 49’, Thorgan Hazard shënoi për 3:0.
Rezultatin final e vendosi portugezi Guerreiro, i cili me golin e dytë personal në minutën e 63’, vendosi shifrat 4:0.
Dortmund tashmë shkon në 54 pikë për pozitën e dytë, duke iu afruar Bayern Munich në një pikë diferencë. Schalke 04 mbetet në kuotën e 37 pikëve.