
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka gjetur se përpos procedurës së kundërligjshme që është ndjekur në blerjet e rezervave shtetërore ka edhe shkelje të tjera pasi malli i paguar s’ka mbërritur në Kosovë.
Vlera e këtij malli që nuk ka mbërritur në Kosovë, sipas Prokurorisë është mbi 600 mijë euro.
Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se biznesmeni Ridvan Muharremi ishte personi kyç që kishte zhvilluar negociatat me operatorët ekonomikë për blerjen e grurit, vajit e sheqerit.
Muharremi ndihmoi dy zyrtarët e MINT të shkelnin ligjin
Sipas Prokurorisë, Muharremi ishte personi kyç për t’i negociuar kushtet e kontratave me operatorët ekonomikë për blerjen e rezervave shtetërore.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, Muharremi kishte negociuar blerjen e 10 tonë grurë nga Turqia me çmim prej 4 milionë 834 mijë e 778 euro.
Sipas Prokurorisë, Muharremi me këto kompani kishte pasur edhe më herët raporte kontraktuale dhe biznesore.
Muharremi ishte përfshirë ne negocimin e blerjes edhe të vajit dhe sheqerit nga Polonia në vlerë prej 276 mijë euro, por që as vaji dhe as sheqeri nuk ka mbërritur në Kosovë.
Prokuroria e ngarkon Muharremin se ka kryer veprën penale “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.
“Është i pakontestueshëm fakti se e tërë procedura e blerjes së produkteve të rezervës shtetërore të Kosovës për vitin 2022 është zbatuar në kundërshtim me ligjin dhe procedurat”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.
Lipovica kundërligjshëm kërkoi nga Qeveria anashkalimin e procedura të prokurimit per blerjen e rezervave
Prokuroria dyshon se Lipovica bëri këtë kërkesë për të kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit.
Sipas Prokurorisë, vendimi i Qeverisë i 22 shkurtit 2022, ishte marrë duke pas për bazë kërkesën e kundërligjshme të Lipovicës për anashkalimin e procedurave ligjore për blerjen e rezervave.
Lipovica ngarkohet se në mënyrë të kundërligjshme ka formuar edhe një Komision për Negocimin e Kontratave për Furnizim me Mallra të Rezervës Shtetërore për vitin 2022 me të cilin ka anashkaluar procedurën e hapur të prokurimit publik.
Megjithëse komisioni ishte formuar kundërligjshëm, Prokuroria e ngarkon Lipovicën se kishte anashkaluar dy anëtarët e Komisionit dhe e kishte përfshirë Ridvan Muharremin në rolin e ndërmjetësuesit mes Ministrisë dhe Operatorëve Ekonomikë nga Turqia për blerjen e grurit.
Sipas Prokurorisë, pavarësisht se pagesat ishin bërë 100 për qind me operatorët ekonomikë nga Turqia e Polonia, gruri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Porosia prej 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kg sheqer nuk kanë ardhur fare pavarësisht se pagesat ishin bërë avans.
Ndërsa për gjithë grurin e kontraktuar ishin paguar 4 milion e 834 mijë e 778 euro derisa në Kosovë nuk kanë mbërritur 52.5 tonë grurë.
“Pavarësisht se pagesa në formë të avansit është realizuar në tërësi, në Kosovë, si vend i destinimit, janë sjell vetëm 9.947.5 tonë grurë ose 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar. Ndërsa, lloji vaji dhe sheqeri nuk janë sjell fare. Si rezultat i këtyre veprimeve është dëmtuar interesi publik në lartësi prej 601 mijë e 940 euro”, ka konstatuar Prokuroria.
Lipovica ngarkohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare nga neni 414 i Kodit Penal.
Gara kërkoi kundërligjshëm anashkalimin e procedurave të prokurimit
Sikurse Lipovica, edhe Haviz Gara ngarkohet se si Drejtor i Departamentit të Rezervës Shtetërore, ka tejkaluar autorizimet ligjore dhe ka kundërligjshëm ka kërkuar përmes kërkesës nga i pandehuri Lipovica që të anashkalohen procedurat e prokurimit për blerjen e mallrave për rezervat shtetërore.
Sikurse Lipovica, edhe Gara dyshohet se kërkesën për anashkalimin e procedurave të prokurimit e ka bërë për të kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit.
Gara ngarkohet se i kishte anashkaluar anëtarët e Komisionit dhe kishte lejuar Ridvan Muharremin të luante rolin e ndërmjetësuesit të Ministrisë dhe Operatorëve Ekonomikë për blerjen e rezervave shtetërore me operatorët në Turqi e Poloni.
“Pavarësisht se pagesa në formë të avansit është realizuar në tërësi, në Kosovë, si vend i destinimit, janë sjell vetëm 9.947.5 tonë grurë ose 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar. Ndërsa, lloji vaji dhe sheqeri nuk janë sjell fare. Si rezultat i këtyre veprimeve është dëmtuar interesi publik në lartësi prej 601 mijë e 940 euro”, ka konstatuar Prokuroria.
Prokuroria Speciale nisi të premten në orën 6 të mëngjesit aksionin për bastisjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe shkoi edhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi.Pas aksionit, dy zyrtarët e Ministrisë dhe biznesmeni u prangosën nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.
Ministrja Rozeta Hajdari ka thënë të premten se dy zyrtarët e MINT janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë kurrfarë shkeljesh ligjore derisa ka akuzuar Policinë se ka marrë kundërligjshëm dokumentet e rezervës shtetërore, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare.
Mirëpo, Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, ka shpjeguar se në rastet kur bazuar në kushtet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale gjykata lëshon urdhër për kontroll të shtëpisë apo personit, nuk është fare relevante fakti nëse provat e sekuestruara përmes të cilave synohet provimi i veprës penale janë ose jo të klasifikuara.
Në mbrëmjen e së premtes, Kryeministri Albin Kurti ka publikuar një video-mesazh, me të cilin ka akuzuar sistemin e drejtësisë së po tenton që të rikthejë në pushtet ish-kastën e kalbur politike. Ka thënë se Rozeta Hajdari nuk është shkelëse e ligjit dhe nuk ka korrupsion te rezervat shtetërore.
Edhe një deputet i Vetëvendosjes ka deklaruar se sistemi i drejtësisë po iu shërben opozitës dhe milionerëve./BetimipërDrejtësi/