
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar të enjten kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë për të dyshuarit Skender dhe Albion Tasholli, të cilët dyshohen se shkaku i fajdeve e kanë shtyrë në vetëvrasje të riun në Graçanicë.
Ndërsa, për Ekrem Gashin si i dyshuar i tretë, kërkohet që të lëshohet urdhërarrest pasi i njëjti gjendet në arrati.
Në kërkesën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Skender Tasholli, Albion Tasholli dhe Ekrem Tasholli, i kanë bërë presion të vazhdueshëm viktimës duke i kërkuar para me fajde, e që për shkak të presionit dhe kërcënimit të vazhdueshme, i riu B.S., më 14 maj ka kryer vetëvrasje.
“Ekziston dyshimi i bazuar se personat e dyshuar Skender Tasholli, Albion Tasholli dhe Ekrem Gashi në mënyrë të vazhdueshme i kanë bërë presion viktimës të kontrakton një shumë dukshëm jopropercionale të pasurisë në këmbim të shërbimit të personit tjetër duke e shfrytëzuar gjendjen e rendë financiare të personit të tillë, ku kanë kërkuar shuma të parave me fajde dhe për shkak të presionit dhe kërcënimeve ka shtytë B.S të kryej aktin e vetëvrasjes”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë, viktima e kishte lënë një letër, në të cilën theksohet se personat e lartpërmendur e kishin futur në fajde.
“… si rezultat i veprimeve të pandehurve, i njëjti e ka lënë edhe një letër të shkruajtur me dorë ku thekson se të pandehurit e kanë shti në fajde”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Me këto veprime, tre të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Shtytje në vetëvrasje dhe ndihma në vetëvrasje” nga neni 177, paragrafi 1 të KPRK-së dhe “Fajdeja” nga neni 331, paragrafi 3 i KPRK-së.
Në arsyetimin e kësaj kërkese, thuhet se pas vlerësimit dhe analizimit të kallëzimit penal dhe provave të tjera materale, Prokuroria e sheh të arsyeshëm caktimin e masës së paraburgimit pasi që sipas tyre janë plotësuar të gjitha kushtet për aplikimin e kësaj mase.
Pra, sipas tyre ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit kanë kryer veprën penale, nuk është hera e parë që ata bien ndesh me ligjin e po ashtu fakti që njëri nga ata është ende në arrati, tregon se nëse këta persona lihen në liri mund të arratisen ose të pengojnë rrjedhjen e procedurave.
Po në të njëjtën datë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për dhënien e urdhërarrest ndaj Ekrem Gashit, i cili gjendet në arrati.
Në arsyetimin e kërkesës, thuhet se Prokuroria më 15 maj 2024 ka pranuar kallëzimin penal nga Policia e Kosovës kundër të dyshuarve Skender Tasholli, Albion Tasholli dhe Ekrem Gashi për veprën penale “Shtytje në vetëvrasje dhe ndihma në vetëvrasje” dhe “Fajdeja”.