
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit për krime lufte në Gjakovë, Dragan Ristiq.
Aktgjykimi ndaj Ristiq u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas vendimit, nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale që i vihej në barrë. Atij i ndërpritet masa e paraburgimit.
I akuzuari Ristiq nuk ishte i pranishëm në shpallje.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 27 qershor 2025, Dragan Ristiq akuzohej se gjatë periudhës 1998–1999, në kohën e luftës në Kosovë, në territorin e qytetit të Gjakovës, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare, ka marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime fizike dhe psikike, arrestime, vjedhje dhe shkatërrime të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, më 10 maj 1999, në rrugën “Bajram Curri” në Gjakovë, pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ku bënte pjesë edhe i pandehuri, të uniformuar dhe të armatosur, të ndarë në grupe të ndryshme, kishin hyrë me dhunë në shtëpinë e M.D., ku po qëndronin M.D., Dukagjin Dyla, bashkëshortja e tij, një fëmijë, si dhe dy të strehuarit C.H. dhe I.L.
Fillimisht, thuhet se i kishin urdhëruar të dëmtuarit të dilnin në oborr, ku një polic kishte ndalur viktimat C.H. dhe I.L., pastaj njëri nga pjesëtarët e forcave serbe u kishte thënë “ah ju qenkeni UÇK” dhe menjëherë kishte shtënë me armë në drejtim të tyre, duke i vrarë që të dy.
Në aktakuzë thuhet se një polic tjetër kishte hyrë në shtëpi ku po qëndronte M.D. dhe kishte shtënë me armë, ndërsa policët e tjerë që ishin në oborr kishin shtënë me armë në drejtim të këmbëve të të dëmtuarve Florije Dyla, Dukagjin Dyla etj., duke i detyruar që të largoheshin nga shtëpia.
Gjithnjë sipas aktakuzës, më 13 maj 1999, Florije Dyla, bashkë me Sabrije Dylën dhe Humajun Dylën, ishin kthyer në shtëpi, ku në korridor e kishin gjetur të vrarë M.D., i cili kishte fytyrën e gjakosur dhe një plagë në gjoks, ndërsa në oborr ishin gjetur të vrarë edhe C.H. dhe I.L., kufomat e të cilëve pas luftës ishin gjetur në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, ndërsa identifikimi ishte bërë përmes analizës së ADN-së.
Në aktakuzë thuhet se nga 7 maji deri më 10 maj 1999, në territorin e qytetit të Gjakovës, në kuadër të një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullsisë civile shqiptare, i pandehuri Dragan Ristiq kishte ushtruar dhunë fizike, psikologjike dhe trajtim çnjerëzor ndaj civilëve shqiptarë, duke marrë pjesë aktive në ndalimin dhe ndarjen e dhunshme të meshkujve civilë shqiptarë nga familjet e tyre.
Në aktakuzë thuhet se më 10 maj 1999, në pikën e kontrollit të improvizuar tek ura e Islam Begut (Kulla e Avdullah Pashës) në Gjakovë, duke vepruar në bashkëkryerje me dy pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, fillimisht kishin ndalur veturën të cilën e drejtonte i dëmtuari Masar Caka, i kishin nxjerrë me forcë nga vetura të dëmtuarit Masar dhe Afrim Caka, u kishin kërkuar para dhe, në mungesë të mjeteve monetare, kishin ushtruar dhunë fizike ndaj tyre, përfshirë goditje me grushte, shqelma dhe me kondakë armësh, në prani të fëmijëve dhe familjarëve, si dhe kishin ndaluar dhe keqtrajtuar edhe civilë të tjerë shqiptarë në të njëjtin vend, pa ndonjë bazë ligjore apo procedurale.
Tutje, në aktakuzë thuhet se kishin ushtruar kontroll mbi kolonën e civilëve të dëbuar me qëllim të selektimit dhe ndarjes së burrave për qëllime të mëtejshme represive, me ç’rast gjatë këtij aksioni u arrestuan Afrim Caka dhe Enver Dyla dhe u burgosën rreth 300 persona civilë të nacionalitetit shqiptar dhe komuniteteve të tjera, të cilët fillimisht u mbajtën në burgje të improvizuara, pa trajtim human, duke u munguar gjërat elementare si ushqimi i rregullt, higjiena dhe kujdesi shëndetësor.
Më pas, një pjesë e të burgosurve ishin liruar, rreth 150 prej tyre ishin dërguar në burgje të ndryshme në Kosovë dhe, në fund, nga Burgu i Dubravës, sipas aktakuzës, u transferuan në burgjet e Serbisë, ku pas qershorit të vitit 1999 të dëmtuarit u liruan me ndihmën e organizatave ndërkombëtare.
Në pikën e tretë të dispozitivit të parë thuhet se forcat policore dhe ushtarake serbe, me dhunë dhe nën kërcënimin e armëve, dëbuan nga shtëpitë e tyre familjet Caka, Dyla dhe të gjitha familjet që banonin në rrugët “Bajram Curri”, “Mulliri”, “Qabrati” dhe “Mithat Frashëri” të qytetit të Gjakovës.
Në këtë pikë thuhet më tej se, në ditën kritike, pjesëtarët e forcave policore dhe ushtarake serbe kishin hyrë në shtëpinë e familjes Dyla në Gjakovë dhe kishin vrarë tre persona.
Sipas aktakuzës, të njëjtit i kishin detyruar të gjithë banorët e lagjeve që t’u bashkoheshin kolonave të banorëve civilë të nacionalitetit shqiptar dhe nacionaliteteve të tjera, të cilët me dhunë po largoheshin nga Gjakova.
Sipas pikës së katërt të kësaj aktakuze, gjatë një aksioni të forcave policore dhe ushtarake serbe të filluar më 7 maj 1999 dhe të përfunduar më 10 maj 1999, ku bënte pjesë edhe i pandehuri Dragan Ristiq, fillimisht u plaçkitën shtëpitë e familjeve Caka dhe Dyla dhe të gjitha shtëpitë në rrugët “Bajram Curri”, “Mulliri”, “Qabrati” dhe “Mithat Frashëri” të qytetit të Gjakovës, të nacionalitetit shqiptar, e më pas u dogjën, duke u shkaktuar dëme shumë të mëdha materiale.
Me këto veprime, i pandehuri Dragan Ristiq akuzohej se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” në bashkëkryerje, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.