Po vazhdon të rritet numri i të infektuarve me koronavirus në Rusi.
Rusia ka shënuar përsëri rekord ditor të rasteve të koronavirusit për 24 orë. Gjatë kësaj periudhe u shënuan 10,633 raste të reja.
Kështu, numri i përgjithshëm i të prekurve nga Covid-19 në këtë shtet shkoi në 134,686 persona, sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të autoriteteve ruse.
Sidoqoftë, shkalla e vdekshmërisë ka shënuar rënie ditëve të fundit dhe vazhdon të mbetet e ulët në krahasim me shumë shtete të tjera, shkruan “Reuters”, transmeton express.
Përpos infektimeve, gjatë 24 orëve të kaluara u shënuan edhe 58 vdekje dhe numri i përgjithshëm i viktimave shkoi në 1,280.
Rusia ka qenë ndër vendet e para që ka marrë masa të ashpra të izolimit, përfshirë mbylljen e kufirit me Kinën dhe ndërprerjen e fluturimeve ndërkombëtare. Më së shumti raste janë shënuar në Moske dhe rrethinën e saj.