Dramatizon Visar Ymeri, thotë se LDK e VV e kthyen dialogun në duart e Thaçit e Haradinajt

16:37 | 27 June 2019

Në partinë Soacialdemokrate nuk e kanë pritur mirë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e shpalli si antikushtetues Ekipin Negociator.

Në një konferencë për media ku ka folur një prej anëtarëve të këtij ekipi, Visa Ymeri, është thënë se të gjithë pjesëtarët e kësaj partie që kanë qenë pjesë e këtij Delegacioni nga sot kanë pushuar së shërbyeri.

“Pas vendimit të Kushtetueses për Ligjin përgjegjësitë e Delegacionit Shtetërorë, PSD ka marrë vendim që të del nga ky delegacion, dhe që nga sot të gjithë anëtarët e PSD’së do të pushojnë së shërbyeri nga ky delegacion. Kushtetuesja i ka shpallur antikushtetuese të gjitha kompetencat që i janë dhanë me ligj Delegacionit Shtetëror dhe kështu ia ka pamundësuar Kuvendit të jetë në pozicion udhëheqës të dialogut me Serbinë, ashtu siç ishim dakorduar me deputetët kur ishte votuar rezoluta”, ka thënë Ymeri, raporton Express.

“PSD ka insistuar që dialogu me Serbinë si i rëndësishëm që është, duhet të drejtohet nga insitutcioni që i ka të gjitha partitë politike. Përmes Kuvendit dialogu do të kishte legjitimitet demokratik. Sidoqoftë nga Kushtetuesja u tha që dialogun me Serbinë nuk duhet ta drejtojë Kuvendi, por kryeministri dhe presidenti i Kosovës”, ka shtuar Ymeri.

Ndër të tjera deputeti i PSD’së ka sulmuar edhe LDK’në dhe Vetëvendosjen duke thënë se këto dy parti bënë të mundur që dialogu të kthehet në duart e dy njerëzve, Ramush Haradinajt dhe Hashim Thaçit.

“Ky dialog u kthyer përsëri në duart e kryeministrit dhe Hashim Thaçit. Secili deputet e bartë përgjegjësinë e tij në këtë proces, pra edhe PSD’ja për tentimin që ta kthejë dialogun në binarët e Kuvendit, por edhe dy subjektet që e ndaluan një gjë të tillë, dhe mundësuan kthimin e dialogut në duart e dy njerëzve, duke e personalizuar procesin e dialogut”, ka thënë Ymeri.

Komento: