
Barcelona ka shpëtuar nga turpërimi.
Luuk De Jong e ka shpëtuar Barcelonën nga disfata e parë kundër Espanyolit që prej vitit 2009, duke e shënuar golin e barazimit 2:2 në frymën e fundit të derbit dramatik katalonas të dielën.
Espanyoli e kishte përmbysur rezultatin falë golave nga Sergi Darder dhe Raul de Tomas, pasi Pedri e kishte kaluar Barcelonën në epërsi herët në takim, dhe kur mendoi se e arriti fitoren e parë në vitin 2022, rezervisti De Jong doli në skenë për ta shpëtuar Barcën.
Ishte një derbi i tensionuar në fund, me Gerard Pique të Barcelonës dhe Nico Melamed të Espanyolit që u përjashtuan në kohën shtesë për shkak të një kacafytjeje mes vete.
Skuadra e Xavit e mbizotëroi ekipin vendas, i cili nuk ka fituar kundër Barcës që prej vitit 2009, por dështoi ta shtojë apo ruajë epërsinë e krijuar nga Pedri në minutën e 2-të. Darder e barazoi rezultatin në 1:1 për Espanyolin në minutën e 40-të, kur e mposhti portierin Marc-Andre ter Stegen me një goditje fantastike jashtë zonës.
Ai më pas e gjeti De Tomasin me një pasim të gjatë, i cili i iku mbrojtjes së fjetur të vizitorëve për ta mposhtur poriterin gjerman një kundër një dhe për ta kaluar Espanyolin në epërsi për herë të parë në këtë takim pak pasi akrepat shënuan një orë lojë.
De Jong, i cili u fut në lojë në vend të Pedrit në minutën e 89-të, shënoi me kokë në minutën e gjashtë shtesë, pas një harkimi të përkryer të Adama Traores, duke ia nxjerrë një pikë skuadrës së Xavit.
Barcelona mbetet në vendin e katërt tani me 39 pikë, aq sa ka Atletico Madridi në vendin e pestë dhe katër më pak se Betisi në vendin e tretë, i cili e ka një ndeshje më shumë të zhvilluara se dy të klubet në fjalë.
Espanyoli është i 13-ti me 28 pikë, tetë pikë larg zonës së rënies nga liga.