Drecun akuzon Kosovën nuk dëshiron zgjidhje të qetë të problemit me Serbinë.
Kryetari i Komisionit parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun ka vazhduar me akuza ndaj Kosovës.
Ndalimi i hyrjes së zyrtarëve serbë në Kosovë është edhe një dëshmi se Kosova dëshiron ta eskalojë krizën të cilën e ka sjellë me vendosje të taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe, ka thënë Kryetari i Komisionit parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun.
Ai gjatë emisionit të mëngjesit në televizionin “RTS”, tha se pret vazhdimin e vendimeve të tilla, transmeton lajmi.net. Drecun ka theksuar se Kosova me vendimet e saj krijon kushte që mos të mendohet për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Sipas tij, synimi i këtyre veprimeve është të sillen përplasje me popullin serbë ose Serbinë që do të ishte një arsye më shumë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Drecun ka përmendur edhe marrëveshjen e fundit mes Prishtinës dhe Tiranës për politikë të përbashkët të jashtme dhe sipas tij kjo është dëshmi se Kosova nuk është e përcaktuar për zgjidhje të qetë të problemit por dëshiron të sjellë përplasje të reja dhe destabilizim të rajonit.