Drejtësia për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, temë diskutimi mes Gërvallës dhe Përfaqësueses së NATO-s për Çështje të Grave

20:03 | 13 Mars 2024
drejtesia-per-viktimat-e-dhunes-seksuale-gjate-luftes-ne-kosove,-teme-diskutimi-mes-gervalles-dhe-perfaqesueses-se-nato-s-per-ceshtje-te-grave

Gjatë vizitës së punës në selinë e NATOS, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla pati një takim të përzemërt me Irene Fellin, Përfaqësuese e Posaçme e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Grave, Paqes dhe Sigurisë.

Gjatë kësaj bisede, ministrja Gërvalla ndau me Fellin përvojën e Republikës së Kosovës në forcimin e pozicionit të gruas në profesione të fushës së sigurisë, shembujt e shumtë të profesionisteve të jashtëzakonshme në të gjitha strukturat e larta të sigurisë, rolin e fuqishëm të gruas në përgjithësi si dhe përpjekjet e institucioneve për të hapur, përmes formave të ndryshme të stimulimit, horizonte të pashkelura profesionale për vajzat dhe gratë e reja në Kosovë.

Biseda u përqendrua edhe në përvojën e dhimbshme të më shumë se 20 mijë grave, fëmijëve dhe burrave në Kosovë, të cilët mbijetuan dhunën seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, e cila u përdor si armë lufte kundër tyre.

Ministrja Gërvalla shprehu gatishmërinë e institucioneve dhe shoqërisë civile për të kontribuar në Ukrainë me përvojën e mbledhur përgjatë viteve në trajtimin e nevojave të të mbijetuarve.

Duke marrë në konsideratë faktin që autorët e dhunës seksuale si armë lufte ndaj qytetareve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, nuk u ballafaquan asnjëherë me drejtësinë, ministrja Gërvalla vuri në pah nevojën e një angazhimi të bashkësisë ndërkombëtare për t’ia bërë me dije Serbisë urgjencën dhe domosdoshmërinë e dënimit të autorëve të krimit nga radhët e policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve të ardhur nga Serbia.

Me Fellin u diskutuan edhe fusha të tjera, në të cilat Republika e Kosovës mund të kontribuojë konkretisht në paqen dhe sigurinë në rajon, por edhe më gjerë./Front Online

Komento: