Drejtori i AKI në KOSTT, me zyrtarin aty flet për “parandalimin e rreziqeve të sabotimit e sigurinë elektroenergjetike”

11:26 | 15 Janar 2026
Drejtori i AKI në KOSTT, me zyrtarin aty flet për “parandalimin e rreziqeve të sabotimit e sigurinë elektroenergjetike”

U.D. Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, Shaban Neziri, ka pritur sot në takim drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.

Në një komunikatë për media, KOSTT tha se gjatë takimit u diskutua për rëndësinë strategjike të sektorit energjetik, infrastrukturën kritike të KOSTT-it, planet zhvillimore, si dhe për çështjet e sigurisë shtetërore që lidhen me mbrojtjen dhe funksionimin e qëndrueshëm të infrastrukturës vitale.

KOSTT tha se ky takim u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit institucional për “identifikimin dhe adresimin e rreziqeve që mund të prekin sigurinë e Kosovës, me fokus të veçantë te kërcënimet ndaj infrastrukturës vitale”.

“Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e parandalimit dhe trajtimit të rreziqeve të sabotimit dhe cenimeve të sigurisë që mund të ndikojnë në funksionimin e sistemit elektroenergjetik”.

Në kuadër të vizitës, u prezantua nga afër puna dhe roli i KOSTT-it për sigurinë e sistemit elektroenergjetik, si dhe masat dhe kapacitetet që kontribuojnë në stabilitetin dhe besueshmërinë e rrjetit, shtoi KOSTT.

“KOSTT vlerëson se bashkëpunimi ndërinstitucional është thelbësor për shkëmbimin e informatave, koordinimin e masave parandaluese dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës të infrastrukturës kritike, duke siguruar reagim të koordinuar dhe qëndrueshmëri më të lartë përballë sfidave të sigurisë. KOSTT e vlerëson lart këtë vizitë si dëshmi e angazhimit të përbashkët për forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së infrastrukturës energjetike në Republikën e Kosovës”.

Komento: