Drejtori i Bujqësisë i drejtohet Qeverisë Kurti: Qeveria e shpresës, veç shpresë nuk jep

12:56 | 09 March 2022

Drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Rifat Stojkaj, përmes një statusi në Facebook, i ka reaguar ashpër Qeverisë së Kosovës për mospërmbushjen e premtimeve të tyre ndaj bujqve.

Ai ka thënë se këtë Qeveri e ka kapluar dështimi dhe, siç shkroi ai, “ky rrugëtim i paaftësisë së tyre duket se do ju zgjas”.

“Qeveria e “shpresës” veç shpresë nuk jep” është shprehur Stojkaj derisa është zotuar se si Komunë e Deçanit do t’iu dalë në ndihmë fermerëve në kërkesat e tyre.

Postimi i plotë i tij:

Të dashur fermerë,

Në kohën kur Qeveria e Kosovës do të duhej të ishte dorë e djathtë për ju, duke ndihmuar sektorin e bujqësisë, atë e ka kapluar dështimi dhe ky rrugëtim i paaftësisë së tyre duket se do ju zgjas. Qeveria e “shpresës” veç shpresë nuk jep.

“Qeveria është në anën e prodhuesve”, thoshte kryeministri Kurti, i cili me gjasë e ka ngatërruar anën.

Ngritja e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve aktualisht të konsumuara në bujqësi janë: Plehra dhe përmirësues të tokës (Plehrat e thjeshtë dhe plehrat e përbërë), në rastin konkret lloji i plehut UREA që kushtonte rreth 8-10 euro për 25 kg, sot e njëjta sasi kushton 22-25 euro për 25 kg sasi. Pra, kemi rritje mbi 120%. Lloji tjetër i plehut NAG, çmimi 7-9 euro për 25 kg sasi, sot çmimi i të njëjtës sasi sillet nga 17-19 euro. Pra, kemi rritje rreth 90%.

Po ashtu, të paprekura nuk janë edhe produktet për mbrojtjen e bimëve. Në vitin 2021, në krahasim me vitin 2020, kemi pas rritje rreth 6%. Kurse, sot këto produkte kanë rritje të çmimit mbi 10%. Me të njëjtën përqindje të rritjes janë edhe farërat. Ushqimet për kafshë, e në veçanti drithërat kanë rritje mbi 50% krahasuar me të njëjtën kohë të vitit të kaluar.

Pra, këto të dashur fermerë janë fakte. Fakte që tregojnë moszotësinë e tyre në qeverisje. Kjo qeveri e dështimit është ngulfatur nga gënjeshtrat e veta. Dhe si rrjedhojë e kësaj politike të rrejshme, po e pësoni ju.

Të dashur fermerë, megjithatë, përkrahja nga Komuna e Deçanit s’do ju mungojë asnjëherë. Ne kemi qenë dhe do të jemi përherë këtu për nevojat tuaja, sepse ky është obligim i yni ndaj jush dhe besimit që na e keni dhënë. Bashkë do ia dalim!.

Komento: