Drejtori i Infektives tregon se çfarë po ndodh me pacientin e dyshuar me linë e majmunëve

10:09 | 13 Qershor 2022

Çfarë po ndodh me pacientin e dyshuar me linë e majmunëve? Flet Drejtori i Infektives Arben Vishaj.

Pacienti i moshës 69 vjeç nga komuna e Dragashit, i dyshuar me linë e majmunëve, ndodhet në gjendje shëndetësore shumë stabile dhe pritet lirimi i tij nga spitali, tha për Gazetën Express Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK Arben Vishaj.

Në fillim të këtij muaji Instituti Kombëtar Shëndetësisë Publike të Kosovës ka pranuar nga Klinika Infektive, një raportim për një rast të dyshimtë me linë e majmunëve (Monkeypox). Nga pacienti është marrë mostra e cila është dërguar në laboratorin referent të OBSh-së në Holandë. Por që rezultati i tij nuk ka dal akoma.

Në një bisedë për Gazetën Express, infektologu Arben Vishaj tha se gjendja e pacientit në fjalë është shumë stabile, por se janë në pritje të rezultatit.

“Gjendjen e ka shumë stabile shumë të mirë, por ne po e presim rezultatin nga Holanda. Nëse rezultati na vonohet nga Holanda shumë shpejt do ta lëshojmë pacientin në shtëpi e ka gjendjen shumë stabile…Shumë shpejt shpresojmë që do ta lëshojmë në shtëpi si dhe e rekomandojmë që të jetë i izoluar derisa të del rezultati përfundimtar”, tha Vishaj të hënën për Gazetën Express.

Ndërkohë, mikrobiologu Xhevat Jakupi nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik tha se nuk kanë informata nga lobaratori se kur pritet të arrijë rezultati i pacientit nga Dragashi.

“Ende nuk kemi pranu rezultat prej laboratorit ku është dërgu mostra dhe nuk kemi informatë se kur pritet me dal”, tha Jakupi të hënën për Gazetën Express.

Tutje, ai tha se testet që e diagnostikojnë linë e majmunëve pritet të vijnë në Kosovë javën që vjen.

“Testet janë kontraktu javën e kaluar, është afati dy javë. Kështu që në momentin kur të bëhen dy javë ato duhet me qenë këtu. Javën tjetër duhet me qenë këtu”, tha Jakupi.

Infektologu Vishaj i këshillon qytetarët që të rrinë te qetë dhe të mos përjetojnë panikë sepse Lia e Majmunëve nuk përhapet sikur Covidi dhe nuk është sëmundje më e fuqishme se Covidi.

Virusi i zakonshëm në Afrikën Qendrore dhe atë Perëndimore së fundmi është shfaqur edhe në SHBA dhe Evropë.

Sipas informacioneve rreth tij ky virus shkakton puçrra në fytyrë dhe trup. Ato mund të shkaktojnë djegie dhe të kruara të mëdha dhe infeksioni hiqet gradualisht pas 14 apo 21 ditësh.

Komento: