Drejtori i KEK-ut pret në takim ambasadorin e Shqipërisë, Qemal Minxhozi – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Drejtori i KEK-ut pret në takim ambasadorin e Shqipërisë, Qemal Minxhozi

17:45 | 10 Dhjetor 2018

Drejtori Menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës, z. Njazi Thaçi priti në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Në këtë takim është biseduar për bashkëpunimin e dy korporatave shqiptare, Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Energjetike Shqiptare (KESH), në fushën e shkëmbimit të energjisë elektrike dhe mundësit e reja për rritjen e bashkëpunimit.

Drejtori Menaxhues i KEK-ut, z. Thaçi e ka njoftuar ambasadorin se ndër vite është ndërtuar një bashkëpunim vëllazëror mes KEK-ut dhe KESH-it, duke u respektuar të gjitha normat juridike dhe rregullat e tregut dhe njëkohësisht duke qenë në interes të dy shteteve dhe qytetarëve.

“Pa modesti e kemi thënë edhe me herët, dhe duhet ta përsërisim se bashkëpunimi mes KEK dhe KESH ndoshta duhet të vlej si shembulli me i mirë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona. Kemi ndërtuar partneritet të mirëfilltë, vëllazëror në interes të qytetarëve dhe pa i dëmtuar në asnjë rast interesat e dy korporatave. Në çdo situatë i përgjigjemi kërkesave të njëri tjetrit dhe i ofrojmë bashkëpunim në shkëmbim të energjisë elektrike bazuar në kapacitetet qe kemi në dispozicion. Ky bashkëpunim, pra shkëmbimi i energjisë elektrike në rastet kur kemi mungesa të mëdha njëra palë dhe ka kapacitete, teprica pala tjetër shkëmbehet 1 MW/h me 1MW/h, pra aq sa marrim sasi e kthejmë dhe anasjelltas. Kjo forme e bashkëpunimit nuk e dëmton asnjërën palë dhe është në interes të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovë”, ka thënë Thaçi në këtë takim me ambasadorin e Shqipërisë z. Minxhozi.

Nga ana tjetër ambasadori Minxhozi e ka falënderuar drejtorin e KEK-ut për pritjen dhe për punën e shkëlqyer qe po behët në mes të dy korporatave. Gjithashtu ka shprehur gatishmërinë për të thelluar edhe me tepër këtë bashkëpunim.

Ambasadori gjatë këtij takimi ka shprehur gatishmërinë për të përkrahur edhe iniciativa apo projekte të reja qe janë në interes të dy vendeve në sektorin e energjisë elektrike.

Ndër të tjera është biseduar edhe për mundësit e financimit të përbashkët, Kosovë – Shqipëri për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese.

Komento: