Drejtori i Neonatologjisë: Virusi RSV po rrezikon jetën e foshnjave, trajtimi me antitrupa monoklonal mungon në Kosovë

16:08 | 23 January 2025
drejtori-i-neonatologjise:-virusi-rsv-po-rrezikon-jeten-e-foshnjave,-trajtimi-me-antitrupa-monoklonal-mungon-ne-kosove

Virusi respirator sincicial (RSV), një shqetësim i madh për fëmijët deri në moshën dy vjeçare, po paraqet sfida serioze edhe në Kosovë. Vitin e fundit, 60 foshnja kanë ndërruar jetë në vendin tonë. Drejtori i Neonatologjisë, Luan Morina, theksoi në një intervistë se ky virus prek rrugët e frymëmarrjes dhe shpesh haset në Klinikën e Neonatologjisë.

“RSV është një virus shqetësues, për mos të thënë i rrezikshëm. Më të prekurit janë fëmijët me anomali të zemrës, ata që kanë lindur para kohe, si dhe ata me probleme të tjera shëndetësore,” u shpreh Morina. Sa i përket trajtimit të këtij virusi, Morina tha se Klinika e Neonatologjisë aktualisht nuk ka barna specifike për trajtimin e RSV-së. “Ne ofrojmë vetëm terapi simptomatike, si lehtësimi i simptomave apo terapia inhalatore, por nuk kemi një trajtim specifik,” theksoi ai.

Në lidhje me përdorimin e antitrupave monoklonal, që janë një nga metodat më efektive për trajtimin e RSV-së, Morina tha se kjo qasje trajtimi ende mungon në Kosovë.

“Antitrupat monoklonal janë si ‘ushtarë të gatshëm’ që e luftojnë virusin. Kjo metodë ka nisur të përdoret në Evropë dhe madje edhe në regjionin tonë. Por, fatkeqësisht, tek ne ende nuk ka hyrë si metodë trajtimi. Nuk e di nëse këto antitrupa janë të disponueshëm në tregun tonë,” sqaroi Morina.

Kjo situatë ngre alarmin për nevojën e qasjes në trajtime më të avancuara, duke përfshirë përdorimin e antitrupave monoklonal për trajtimin e fëmijëve të prekur nga RSV në Kosovë. Vitin e fundit, numri i rritjes së vdekshmërisë së foshnjave është rritur.

Komento: