Drejtori i policisë tregon ku dhe pse u arrestua shtetasi rus

14:48 | 28 May 2019

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion të madh sot në veri të Kosovës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një konferencë për media, ka thënë se pas marrjes së urdhërarresteve për disa zyrtarë policorë e qytetarë, janë ndërmarr veprimet policore.

“Ka qenë përgatitje e shpejtë, por e planifikuar në detaje, dhe është realizuar në mënyrë efektive dhe pa pasoja. Aksioni ka filluar nga ora 6 e mëngjesit. Operacioni ka rrjedhur normalisht, pa pengesa, por bukur shumë probleme ka pasur në Zubin Potok, sepse në nisje të aksionit kemi hasur në pritë, në gjuajtje me armë në drejtim të policisë, me ç’rast kemi pasur një polic të plagosur lehtë. Nga plumbi i njëjtë, është goditur edhe një zyrtar tjetër policor, por që shpejtësia ka qenë e amortizuar dhe nuk ka arritur ta shpojë atë”, tha Qalaj.

Ai tha se në këtë rrethanë të rezistencës së armatosur janë angazhuar edhe njësitet tjera dhe kanë nisur t’i eliminojnë barrikadat “me dhunë dhe kemi arritur t’i bastisim shtëpitë e lokacionet e planifikuara”.

“Mund të them se kemi pasur edhe tre zyrtarë tjerë të lënduar, por jo nga armët e zjarrit por nga heqja e barrikadave. Kemi edhe 6 qytetarët lë lënduar të cilët gjendeshin në barrikada”, deklaroi Drejtori i Policisë.

Ai tha se janë arrestuar disa qytetarë ndërsa deklaroi se operacioni ka qenë mjaft i suksesshëm dhe përkundër rezistencës në Zubin Potok, operacioni është realizuar me mjaft sukses.

“S’ka të lënduar rëndë. Në lokacionet e bastisura kemi gjetur 11 armë të zjarrit e disa telefona”, potencoi Qalaj .

Duke folur për shtetasin rus të arrestuar gjatë aksionit të sotëm në veri, Qalaj tha: “Në përpjekje për mënjanimin e barrikadave, ka qenë një veturë e UN-it brenda së cilës ka qenë edhe një zyrtar i UN-it dhe një zyrtar lokal që punon në UN. Ata janë arrestuar si pjesëmarrës në barrikada”.

Komento: