Drejtori i Shëndetësisë në Kryeqytet, apelon qytetarët të vaksinohen kundër gripit sezonal

09:48 | 05 Tetor 2024
drejtori-i-shendetesise-ne-kryeqytet,-apelon-qytetaret-te-vaksinohen-kunder-gripit-sezonal

Qytetarët duhet të vaksinohen me vaksinën kundër gripit sezonal, pasi kjo konsiderohet metodë për parandalimin e sëmundjeve infektive.

Kështu po thotë drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës Izet Sadiku.

Ai gjatë intervistës për Ekonomia Online, tha se më të rrezikuarit janë punëtorët shëndetësor, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.

Vaksinimi ka filluar më datë 30 shtator dhe jepet në 15 qendrat e mjekësisë familjare në Kryeqytet.

“Po siç e dini që prej 30 shtatorit ka filluar vaksinimi në 15 qendrat mjekësisë familjare në Kryeqytet me vaksina të gripit sezonal, për arsye siç e dini është një sëmundje sezonale i cili tashmë gjatë muajit të dimrit, sidomos në muajin dhjetor e janar kur njerëzit grumbullohen më shumë dhe është një virus që përhapet çdo vit tek njerëzit dhe realisht ne kemi ftuar qytetarët që të vaksinohen”, u shpreh Sadiku.

“Sivjet ka filluar vaksinimi më herët, me qëllim që kjo të jep imunitet ndaj kësaj sëmundjeje, duke pasur parasysh se kjo sëmundje edhe pse është virale, të disa kategori të qytetarëve që kanë probleme më shumë shëndetësore, dhe këtë vit janë ato grupet më të rrezikshme sipas OBSh-së, siç janë punëtorët shëndetësor, gratë shtatzëna, pastaj personat që kanë sëmundje kronike e kështu më radhë”, shtoi ai.

Sadiku tutje tha se zakonisht në Kryeqytet, numri i të vaksinuarve shkon në 11 mijë, ndërsa theksoi se deri tash për këto ditë kundër gripit janë vaksinuar mbi 500 qytetarë, përcjell Klankosova.tv.

Ndonëse e pranon se ka efekte anësore, ai tha se qytetarët nuk duhen të shqetësohen, pasi efekti parandalues është më i madh.

“Efekti i vaksinës te gripi është shumë i mirë dhe zakonisht ata qytetarë të cilët e marrin vaksinën, shumica e tyre nuk sëmurën fare, ndërsa te ndonjë rast i veçantë ata të cilët sëmurën e kalojnë pa simptoma, kështu që ky është efekti shumë i mirë i vaksinës, prandaj duke pas parasysh që vaksina jepet gratis, qytetarët po i ftoj që ofrohen në QKM-të dhe të marrin vaksinën, për arsye se ajo është një metodë shumë e mirë për ta mbrojtur nga sëmundjet infektive, këtë rast nga gripi sezonal”, deklaroi Sadiku.

“Zakonisht, efektet anësore janë të padiskutueshme, krahasim me efektet pozitive që ka vaksina e gripit. Efektet anësore mund të jenë ndonjë temperaturë, ndonjë dhimbje muskuli që zgjatin gjatë ditës që merret por janë shumë më të paketa se simptomat që i ka gripit, prandaj për këtë arsye janë të padiskutueshme”, shtoi ai.

Komento: