
Ismail Dibrani, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës, ka thënë se stafi korrektues duhet të kenë paga më të mira.
Në një intervistë për “Betimi për Drejtësi“, drejtori bëri të ditur se kjo kërkesë tashmë është adresuar tek kabineti i ministres në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla.
“Krahasuar me periudhën paraprake, sepse siç e dini, buxheti për investime kapitale nuk ka kaluar asnjëherë mbi 1 milion euro. Kjo ka ardhur duke u përmirësuar në vazhdimësi, kemi pasur 8 milionë, 7 milionë, 9 milionë, në vitet e fundit në investime kapitale… por ajo që mbetet sfiduese dhe që duhet për t’u diskutuar është mirëqenia e oficerëve korrektues, kemi adresuar si shqetësim edhe te kabineti i ri i ministres”, është shprehur Dibrani.
Sipas drejtorit Dibrani, stafi korrektues duhet të ketë të përfshirë ne pagë edhe çështjen e rrezikshmërisë.
“Po shpresojmë se do të kemi mbështetje sepse stafi korrektues duhet ta ketë pagën më të mirë, e sidomos në aspektin e rrezikshmërisë, sepse pothuajse gjysmën e jetës e kalon me të burgosur dhe natyra e punës është më specifike sesa me institucionet tjera që nuk ballafaqohen me probleme të sigurisë…”, ka thënë Dibrani.
Bazuar në punën specifike që kanë oficerët korrektues, Dibrani thotë se krahas pagës bazë, duhet që të kenë edhe pjesën e rrezikshmërisë.
“Në këtë aspekt mendoj se si shoqëri dhe si vend duhet që të bëjmë më tepër. Edhe pse ne kemi pasur ngritje të pagave, krahasuar me pagën paraprake, por që mendoj se në këtë aspekt duhet prapë që oficerët korrektues ta kenë edhe rrezikshmërinë”, përfundoi Dibrani.