Drejtoria e Buxhetit në Gjilan paralajmëron qytetarët për pagesën e tatimit në pronë, mos-pagesa sjell masa ligjore

13:05 | 25 Mars 2026
drejtoria-e-buxhetit-ne-gjilan-paralajmeron-qytetaret-per-pagesen-e-tatimit-ne-prone,-mos-pagesa-sjell-masa-ligjore

Drejtoria për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit ka bërë thirrje ndaj qytetarëve dhe subjekteve juridike për përmbushjen e detyrimeve për tatimin në pronë për vitin 2026, duke theksuar se mos-pagesa e këtyre detyrimeve do të çojë në ndërmarrjen e masave ligjore.

Avdyl Kastrati, drejtor për Buxhet dhe Financa, ka bërë të ditur se, pavarësisht vonesave në shpërndarjen e faturave, çdo tatimpagues është i obliguar të përmbushë detyrimet e tij sipas Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronë dhe Ligjit Nr. 08/L-257 për Administratën Tatimore dhe Procedurat.

“Borxhet e papaguara nga vitet e kaluara kanë shënuar rritje të vazhdueshme dhe kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në realizimin e investimeve kapitale dhe përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët”, tha Kastrati.

Ai ka theksuar se të hyrat nga tatimi në pronë përbëjnë një nga burimet kryesore për financimin e projekteve kapitale, përfshirë investimet në infrastrukturë, shkolla dhe shërbime të tjera në interes të përgjithshëm.

Drejtori Kastrati ka bërë thirrje që detyrimet tatimore të kryhen pa vonesë, ose që qytetarët dhe subjektet juridike të kërkojnë marrëveshje për pagesë me këste.

“Në të kundërtën, do të ndërmerren të gjitha masat ligjore për mbledhjen e detyrueshme të borxheve, përfshirë vendimet për ekzekutim dhe procedurat përmbarimore. Zbatimi i ligjit dhe barazia para obligimeve janë parime që do të vlejnë për të gjithë pa përjashtim”, ka deklaruar Kastrati.

Komento: