Kryetari i Lidhjes Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, për FrontOnline tha se kërkesë e Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, është që të ketë më shumë projekte konkrete kapitale dhe se sipas tij, ky buxhet nuk mund të quhet zhvillimor kur shihet se pjesa dërmuese e orientimeve buxhetore do të jetë në politikë sociale
Dreshaj tha se Projektbuxheti i vitit 2025 ka disa të meta, ndërsa, siç thekson ai, i njëjti duhet të pasurohet para se të kalojë në lexim të dytë.
‘’Nëse e sheh te shpenzimet kapitale, shohim një shumë më të madhe se sa viti paraprak mirëpo, çështja dhe pikëpyetja që po vie duke parë praktiken e këtyre tri viteve të fundit është se sa po shpenzohen ato mjete të parapara për investime kapitale. Në këtë rast, nëse e marrim këtë vit, jemi në nëntor dhe ende nuk e ka arritur 50% e shpenzimeve të cilat kanë qenë të parapara’’ u shpreh Dreshaj.
Ai i tha se në vitet e kaluara realizimi i ulët i investimeve kapitale, ka lënë pa punë shumë kompani.
‘’Kështu që kërkesa jonë është që ajo shumë që është e paraparë në buxhet të shtetit të shpenzohet e të fillohet me procedura sa më herët që është e mundur se edhe procedurat e prokurimit marrin kohë. Kërkesa jonë është që të ketë projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në ngritjen e brutoproduktit vendor”, tha Dreshaj.
‘’Kemi kërkuar dhe kërkojmë me shume mbështetjen per prodhimin vendore, promovimin e prodhimeve vendore’’ shtoj ai.
Ai tutje theksoi se në projektbuxhet shihet se rritja ekonomike planifikohet të vije nga konsumi publik e privat, remitenca dhe rimëkëmbja ekonomike. Por sipas tij, këto planifikime, nuk mund të jenë të sigurta. /FrontOnline/