Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka kritikuar ashpër qeverinë aktuale në një fjalim në Kuvendin e Kosovës.
Ai në këtë fjalim ka paralajmëruar se vendi është në rrezik më të madh se kurrë që nga viti 1999, duke akuzuar qeverinë për cenimin e segmenteve më të ndjeshme të shtetësisë.
“Janë cenuar segmentet më të ndjeshme të shtetësisë dhe atë jo vetëm nga armiqtë që i dimë, por edhe nga brenda, nga Jugonostalgjikët,” deklaroi Dreshaj. Ai vazhdoi duke theksuar se pretendimet për të shkatërruar, përulur dhe ofenduar forcat e sigurisë së vendit nuk do të realizohen kurrë.
Politikani opozitar akuzoi qeverinë për moskrijimin e ushtrisë së rregullt dhe neglizhencën ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Nuk keni buxhet për bukën e ushtarit, por keni miliona për udhëtime jashtë vendit,” tha ai.
Dreshaj gjithashtu ka kritikuar qeverinë për negociatat me Radojçiqin për çështjen e veteranëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së, si dhe për lejimin e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë.
Ai ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, duke e cilësuar atë si “aktin moral minimal” për t’i hapur rrugë procesit./RTK