Drita shpallet kampion i Kosovës

19:10 | 22 July 2020

Mbyllet me barazim trileri mes Gjilanit dhe Ballkanit, Drita shpallet kampion i Kosovës.

Ballkani ka lëshuar në fund një fitore me rikthim ndaj Gjilanit, pasi ka barazuar 2-2 në ndeshjen e vlefshme për javën e 32-të në Ipko Superligën e Kosovës në futboll dhe me këtë barazim Drita është bërë matematikisht kampion i këtij sezoni.

Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi ka dhuruar një super-paraqitje dhe një rikthim fantastik ndaj Gjilanit, por nuk ka arritur ta mbajë epërsinë deri në fund.

Ishte ekipi i Gentjan Mezanit që arriti të barazojë në minutat shtesë dhe të marr një pikë shumë të vlefshme në luftën për një vend në Evropë.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të hapur, me Ballkanin për një nuancë më të mirë dhe më kërkues, por me vendasit që gjeten golin e vetëm.

Goli i vetëm edhe përkundër rasteve të shumta, erdhi në minutën e 42-të dhe ishte Kushtrim Shabani, i cili shënoi për 1-0.

Në pjesën e dytë, përsëri ishte Ballkani skuadër më e mirë dhe mundi iu shpagua duke shënuar dy gola të shpejtë dhe duke kaluar në epërsi.

Goli i barazimit erdhi në minutën e 73-të me Mirlind Dakun që shënoi nga afërsia për 1-1, ndërsa Jetmir Topalli (75’) me kokë shënoi për 1-2.

Deri në minutat e fundit, Gjilani tentoi disa herë, ashtu edhe sikurse edhe Ballkani, por golin e gjeten vetëm vendasit, të cilët shënuan me anë të Keita Razak (90+) dhe ndeshja u mbyll me barazim 2-2.

Kjo fitore e shpall kampion Dritën për sezonin 2019/20 në Ipko Superligën e Kosovës.

Me këtë barazim, Gjilani e sheh veten në pozitën e dytë me 65 pikë, ndërsa Ballkani në të tretin me 64 pikë.

Komento: