Driton Kuka i pakënaqur që Parlamenti nuk përkrahu sportistët, i bindur në medalje në Lojërat Evropiane.
Driton Kuka ka kritikuar deputetët e Kosovës që dje nuk finalizuan Ligjin për Sponsorizim.
Trajneri Kuka, që udhëheq ekipin e xhudos, është optimist se nga Lojërat Evropiane në Minsk do të kthehen me medalje, transmeton Koha.net.
“Sot po nisemi në Lojërat Evropiane në Minsk 2019. Ekipi i përgatitur besoj se edhe kësaj radhe do të na gëzojë me medalje”, ka shkruar Kuka.
Tutje ai ka kritikuar deputetët që nuk i dhanë mbështetje sportistëve përmes Ligjit për Sponsorizim.
“Sporti, përkundër sukseseve, dje në Parlament nuk mori përkrahjen e duhur për t’u finalizuar Ligji për Sponsorizim. Ju që s’e votuat duhet të flisni publikisht arsyet e juaja, nëse keni arsye të qëndrueshme ne jemi gati të ulemi e ta diskutojmë por…leni kauzat politike kur është në pyetje sporti”, ka thënë Kuka.
Kuka u ka përkujtuar politikanëve se me çfarë krenohen më së shumti.
“Kryefjala e shtetësisë së Kosovës është Sporti e dini ju të gjithë kur takoheni me politikanë të huaj me çka lavdëroheni më së shumti”, ka shkruar Kuka.