Driton Selmanaj nis misionin për ta marrë degën e LDK-së në Prizren

12:39 | 30 March 2019

Zgjedhjet e brendshme në LDK po vazhdojnë.

Deputeti i LDK’së, Haxhi Avdyli, i cili në zgjedhjet e fundit në LDK kishte votuar kundër zgjedhjes së Isa Mustafës kryetar të partisë përmes aklamacionit, ka treguar se nuk do t’i futet garës për të drejtuar edhe për një mandat degën e LDK’së në Prizren.

Megjithatë garës për ta marrë këtë degë do t’i futet Driton Selmanaj, deputet ky që i takon gardës së re të LDK’së bashkë me Vjosa Osmanin, Lumir Abdixhikun e të tjerë.

Ai thotë se arsyet për tërheqje nga gara për të parin e LDK-së në Prizren janë personale.

“Për shkak arsyeve personale dhe profesionale nuk do të rikandidoj”, tregon Avdyli.

Ai, pranon se gjatë kohës sa ka qenë kryetar i LDK-së në Prizren, nuk janë arritur rezultatet e pritura.

“Nuk i kam arritur rezultatet që kam dëshiruar. Prandaj le të provojnë të tjerët”, shprehet ai.

Avdyli, thotë se do të qëndrojë në LDK, pavarësisht pozitës që do të ketë.

“Do të jem aktiv në LDK”, tha ai.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka thënë se është i gatshëm të garojë për kryetar të Degës së kësaj partie në Prizren.

Kështu, duket se në këtë degë do të ketë një garë të ashpër në mes të zyrtarëve të kësaj partie për të parin e Degës

Dje, kandidaturën për të parin e Degës së LDK-së në Prizren e ka bërë publike njëri ndër deputetët më të vjetër të partisë, Anton Quni.

Më 15 mars ka filluar procesi i brendshëm zgjedhor në Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila do të përmbyllet me zgjedhjen e kryetarit të partisë. Gara e ashpër në këtë parti ka filluar nëpër degë të ndryshme, ku kanë nisur të bëhen publike kandidaturën. Një e tillë do të jetë edhe në degën në Prizren.

Komento: