
Njohësi i sigurisë, Drizan Shala ka deklaruar për Front Online se institucionet duhet t’i marrin veprimet për ta shpallur Listën Serbe organizatë terroriste.
Shala ka kërkuar që të ketë hetime që të vërtetohet lidhja e këtij subjekti.
“Po institucionet duhet të ndërmarrin veprime bazuar në normative për të nisur procesin për të shpallur organizatë terroriste Listën Serbe. Por paraprakisht duhet të kryhen hetimet nga organet relevante të shtetit që do ta vërtetojnë lidhjen e këtij subjekti politik me grupin terrorist të Serbisë, u shpreh Shala.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar të mërkurën një dokument për të cilin thotë se është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit.
Ai ka thënë se po shtohen dëshmitë e lidhjes zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që vrau policin Afrim Bunjaku.
“Ky dokument është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit. Atë që e kemi deklaruar në vazhdimësi tash po e mbështesim edhe me fakte e dokumente të pakontestueshme se shteti i Serbisë mbështet këto grupe terroriste politikisht, financiarisht, logjistikisht. Shtohen një pas një dëshmitë e lidhjes zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe përgatitjen e aksionit kundër rendit kushtetues me qëllim destabilizimin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.