Dronë dhe 20 ekipe në kërkim të helikopterit të presidentit iranian, zyrtari: U rrëzua në male

19:03 | 19 Maj 2024
drone-dhe-20-ekipe-ne-kerkim-te-helikopterit-te-presidentit-iranian,-zyrtari:-u-rrezua-ne-male


Njëzet ekipe shpëtimi dhe dronë janë dërguar në zonën ku helikopteri në të cilin ndodheshin presidenti iranian, Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian u rrëzua të dielën, sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve IRNA. Sipas një zyrtari iranian, helikopteri është rrëzuar në një terren malor.

“Ne jemi ende me shpresë, por informacionet që vijnë nga vendi i përplasjes janë shumë shqetësuese”, tha zyrtari për Reuters.

Presidenti iranian dhe ministri i Jashtëm, së bashku me disa zyrtarë të tjerë, ishin në bordin e helikopterit duke u kthyer nga një ceremoni për hapjen e një dige në kufirin e Iranit me Azerbajxhanin kur avioni “u rrëzua gjatë uljes në rajonin Varzaqan të dielën”, raportoi IRNA English.

Sipas agjencisë, në zonën ku besohet të ketë rënë helikopteri janë dërguar 20 ekipe shpëtimi dhe dronë, por për shkak të mjegullës së dendur dhe terrenit malor, operacioni i kërkim-shpëtimit do të marrë pak kohë.

IRNA raportoi gjithashtu, duke cituar banorët vendas, se helikopteri u rrëzua në zonën e Pyllit Dizmar midis fshatrave Ozi dhe Pir Davood. Banorët thanë se dëgjuan zhurma nga zona.

Ministri i Brendshëm i Iranit, Ahmad Vahidi, tha se një nga helikopterët në një kolonë u detyrua të bënte një ulje të vështirë për shkak të kushteve të motit me mjegull.

“Tani grupe të ndryshme shpëtimi po lëvizin drejt zonës, por duke pasur parasysh se ka mjegull dhe mot dhe kushte të papërshtatshme, mund të duhet pak kohë derisa të arrijnë aty ku është helikopteri”, tha Vahidi.

Ai shtoi se kishte pasur disa kontakte me pasagjerët në helikopter, por nuk kishte detaje të tjera.

 

Komento: