Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Enver Dugolli, për FrontOnline, ka folur për premtimin e dhënë nga kryeministri Albin Kurti, se me Qeverinë e tij, do të bëhet shërbimi ushtarak do të bëhet i obligueshëm.
‘’Fokusi kryesor i yni ka qenë përshpejtimi i përmbushjes së kapaciteteve planit gjithëpërfshirës, shkurtimi i afateve dhe këtë e kemi arritur suksesshëm sepse në shumë sfera veç pse e kemi tejkaluar’’ thotë ai.
Dugolli, potencon se është hartuar dhe miratuar një koncept dokument për mbrojtën e që për të është më shumë se sa shërbimi i obligueshëm ushtarak.
‘’Është hartuar e miratuar koncept dokumenti për mbrojtjen totale, koncept i cili është më shumë se sa shërbimi i obligueshëm ushtarak i cili nuk e përjashton as këtë i cili i mbulon të gjitha aspektet e sigurisë, synon ti angazhon të gjithë faktorët relevant të shoqërisë tonë nga shkollat, institucionet shoqërinë civile etj’’ tha ai.
Deputeti i VV-së, shprehet se pas koncept dokumentit do të fillohet me grupe punuese për hartimin e ligjit.
‘’Tash pritet të fillohet me grupe punuese për hartimin e ligjit i cili do të ndikoj me një mori ligjesh tjera që duhet plotësuar e ndryshuar’’, potencoi Dugolli.
Ai shprehet i bindur, se në mandatin tjetër qeverisës, do të kurorëzohet kjo gjë.
‘’Besoj që në mandatin tjetër që padyshim që jemi ne në Qeveri, do të kurorëzohet ky koncept dokument me ligje të mira të cilat e bëjnë më të sigurt e të vendosur këtë synimin tonë që të kemi investime sa më të mëdha në mbrojtje dhe siguri’’ u shpreh Dugolli për FrontOnline.