Dugolli: Lista Serbe s’mund të manipulojë më me lista zgjedhore, i mbron interesat e bandës së Radojçiqit

18:03 | 08 Prill 2024
dugolli:-lista-serbe-s’mund-te-manipuloje-me-me-lista-zgjedhore,-i-mbron-interesat-e-bandes-se-radojciqit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se Lista Serbe nuk mund të manipulojë më me listat zgjedhore në veri.

Lista Serbe tha më 5 prill se serbët nuk do të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Lidhur me këtë, deputeti Dugolli thekson se pjesa më e madhe e qytetarëve serbë nuk do ta dëgjojnë thirrjen e Listës Serbe për shkak se ata kanë argumente të mjaftueshme për të parë se nuk po mbrojnë interesat e qytetarëve serbë por po i mbrojnë interesat e bandës së Millan Radojçiqit.

“Patjetër që do të mbahen ato votime për shkak se të gjitha përgatitjet janë bërë nga KQZ-ja, edhe nga Qeveria është hartuar udhëzimi administrativ… pra është një proces krejt legal, i njohur për opinionin.

Është një satelit në dorën e Vuçiqit i cili e përdor Listën serbe dhe në momente të caktuara del me këto pozicionime. Situata atje ka ndryshuar pozitivisht për mirë, nuk ka më anarki, nuk ka më parti politike si Lista serbe që t’i mbajë peng qytetarët, nuk mund të manipulojë më as me lista zgjedhore as që të mbush kutitë e votimit… Kanë qenë raportet ndërkombëtare që kanë vu theksin për parregullsi të shumta e njëra ndër to ka qenë mbushja e kutive të votimit pa asnjë kriter, me organizim të thjeshtë partiak e shtetëror të Serbisë q ënjë listë serbe, parti politike t’i fitojë mbi 80 për qind”, tha Dugolli.

Sipas tij, Serbia vazhdon që përmes Listës Serbe po tenton të instrumentalizojë pakicën serbe.

Ai thotë se nga kjo po dëmtohen serbët lokalë në veri.

“Përfundimisht po shihet se kush është shkaktari i asaj situate që kemi kaluar në të kaluarën… është Serbia që përmes Listës Serbe po tenton të instrumentalizojë pakicën serbe atje, në radhë të parë po dëmton serbët lokalë. Komuniteti serb duhet ta rishikojë përcaktimin e tyre ndonëse jam i sigurt që nuk kanë votuar gjithmonë në mënyrë masovike për Listën serbe por tash garantohet një mjedis i sigurt, i qetë dhe shteti qëndron prapa qytetarëve që ta shprehin vullnetin e tyre pa u ndjerë të cenuar, shantazhuar apo kërcënuar”, shtoi më tej Dugolli./Dukagjini

Komento: