Koronavirusi po vazhdon të përhapet me shpejtësi në Rusi.
Ligjvënësit rusë kanë miratuar legjislacionin që i lejon kryeministrit rus, Mikhail Mishustin, që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme, teksa ky shtet ka regjistruar rritje prej 27 për qind të rasteve të konfirmuara me koronavirus brenda një dite.
Ky projektligj i lejon tani qeverisë që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në gjithë shtetin dhe të prezantojë zbatim të masave të detyrueshme gjatë kësaj periudhe.
Deputetët kanë miratuar edhe dënim me burg deri në pesë vjet për ata persona që “me qëllim” shpërndajnë informacion të rremë dhe deri në shtatë vjet burgim për personat që shkelin rregullat e higjinës apo masën e karantinës.
Miratimi i këtij dokumenti vjen në kohën kur të dhënat e zyrtarëve shëndetësorë tregojnë se brenda 24 orëve në Rusi është raportuar për 500 persona të infektuar apo 2,337 persona në total.
Task-forca federale kundër koronavirusit ka thënë më 31 mars se numri i të vdekurve ka arritur në 17, ndonëse kritikët dhe vetë rusët kanë ngritur dyshime për vërtetësinë e këtyre shifrave.
Deri më tani qeveria ka marrë vendim për mbyllje të kufijve shtetërorë nga 30 marsi, duke lejuar vetëm diplomatët rusë, dhe makinat e domosdoshme që të hyjnë në territorin e këtij shteti.