Vlora Dumoshi, deputete nga radhët e LDK-së ka kërkuar që doracaku për edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues i vitit 2023 të hiqet menjëherë nga përdorimi dhe të rishikohet nga ekspertë të fushave të ndryshme.
Ajo theksoi se Ministria e Arsimit ka kapacitetet e nevojshme ekspertësh, por që për një proces të tillë duhet të përfshihen edhe Këshilli i Prindërve dhe mësimdhënësit.
‘’ Unë mendoj se ky doracak duhet të hiqet menjëherë nga përdorimi dhe duhet rishikuar nga ekspertë nga fushat ndryshme, ministria e arsimit i ka edhe kapacitetet e ekspertëve përbrenda por gjithsesi duhet të jetë edhe pjesëmarrës edhe Këshilli i Prindërve dhe arsimtarëve që është në kuadër të ministrisë’’, tha Dumoshi për Front Online.
Dumoshi e ka cilësuar doracakun si të papranueshëm dhe skandaloz, duke theksuar se përmbajtja dhe aktivitetet që ai përmban nuk janë të përshtatshme për fëmijët, veçanërisht për ata nga klasa e parë deri në të pestën.
‘’Ky doracak ashtu siç është me këtë përmbajtje të aktiviteteve është i pa pranueshëm dhe është skandaloz sepse nuk lidhet me moshën e fëmijëve e sidomos nga klasa e parë deri te e pesta ‘’, përfundoi Dumoshi për “FrontOnline”.