Janjiq: Veprimi i Kurtit me Rashiqin i drejt nga pikëpamja kosovare por problemi është Veriu.
Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ka marrë dje vendim për emërimin e Nenad Rashiqit në pozitën e ministrit për Kthim dhe Komunitete. Rashiq do të zëvendësojë në këtë pozitë kreun e Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili bashkë me shumë serbë të tjerë vendosën t’i braktisin institucionet e Republikës së Kosovës.
Lidhur me këtë çështje në një përgjigje për Gazetën Express ka folur njohësi i zhvillimeve politike, Dushan Janjiq. Ai thotë se nuk është i suprizuar nga një vendim i tillë i kryeministrit Albin Kurti meqë e priste që diçka e ngjashme do të ndodhte.
“Unë mund të them se s’jam i befasuar. E prisja që diçka si kjo do të ndodhte”, ka thënë Janjiq për Gazetën Express.
Ai thotë se vendimi i Kurtit nga pikëpamja e Kosovës dhe në aspektin ligjor është në rregull, meqë si kryeministër i vendit ai po e mbush vakumin institucional. Megjithatë analisti serb thotë se në aspektin politik çështja është e komplikuar.
“Kjo është në rregull nga aspekti ligjor. Në pikëpamjen e Kosovës, Kurti ka bërë hapin e duhur. Por në aspektin politik është e komplikuar’, ka thënë Janjiq.
Ai shpreh rezervat e tij se një mënyrë e tillë e veprimit do të mund të funksionojë edhe për Veriun e Republikës së Kosovës, ku dhjetëra gjyqtarë, prokurorë e policë kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.
“Në këtë moment mund të them që Kurti po provon që të plotësojë vakumin institucional, që është shumë e rëndësishme për Kosovën. Por nuk jam i sigurt që modeli i njëjtë do të funksionojë edhe për Veriun, kur kemi të bëjmë me zyrtarët lokalë. Por kjo është çështje tjetër”, ka thënë Janjiq.
Ai tutje thotë se qëllimi i Vuçiqit dhe Listës Serbe ka qenë që të shkaktojnë krizë institucionale dhe nga ky prizëm e sheh si të drejtë vendimin e Kurtit për krijimin e stabilitetit në institucionet qendrore. Megjithatë Janjiq thekson se problemi është me pjesën veriore të Republikës së Kosovës, me komunat që s’janë plotësisht të integruara.
“Vuçiq dhe Lista Serbe vendosën që të lëshojnë institucionet me qëllimin për të krijuar krizë institucionale në Kosovë. Në anën tjetër përgjigja e Kurtit është e drejt dhe ligjore. Nëse është e mjaftueshme nuk jam i sigurt. Sepse çështja është më e thellë, ka të bëjë me konfliktin rreth statusit, rreth kontrollit të territorit. Për këtë them që është në rregull për të stabilizuar institucionet qendrore, por problemi është komunat që s’janë plotësisht të integruara. Për këtë them se s’jam i sigurt që mund të funksionojë për Veriun e Kosovës”, ka thënë Janjiq.
Lista Serbe pas konsultimeve që kishte pasur me Aleksandër Vuçiqin kishin vendosur që të braktisnin institucionet e Republikës së Kosovës. Goran Rakiq ka qenë i pari që ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit, i pasur me dhjetëra dorëheqje të tjera nga sistemi i Drejtësisë, përfshirë prokurorë, gjyqtarë e policë. Dorëheqje kanë dhënë edhe dhjetë deputetët e “Srpskas” por që janë zëvendësuar më pas, pas paralajmërimeve se në Kuvend do të futen përfaqësues të tjerë të serbëve të cilët kanë qenë pjesë e garës zgjedhore.
Megjithatë në pozitat tjera në gjykata, prokurori dhe polici vazhdon vakumi. Institucionet përkatëse me qëllim të vazhdimit të punës kanë dërguar zëvendësime nga qytetet e tjera të Kosovës në pjesën veriore.
Ndërsa për katër komunat e veriut do të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme lokale më 18 dhjetor, të cilat Lista Serbe ka thënë se do t’i bojkotojë.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pas përfundimit të konsultimeve me partitë politike dhe me KQZ-në, ka caktuar 18 dhjetorin, datë të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Nga faktori ndërkombëtar ka pasur thirrje të vazhdueshme që braktisja e institucioneve të Republikës së Kosovës nuk është zgjidhje. Edhe kryeministri Kurti ka bërë thirrje që serbët të mos braktisnin institucionet.
Gjithë kjo situatë është krijuar pas suspendimit të Nenad Gjuriq nga pozita e drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës pasi ky i fundit ka refuzuar që të implementojë vendimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për targat ilegale.