Dy datat e mundshme të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë

17:36 | 22 August 2019

Së shpejti, vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Me shumicë votash sot deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë vendosur që të shpërndajnë legjislaturën e VI-të, duke i hapur kështu rruge zgjedhjeve të reja të parakohshme nga ku do të dalin institucionet e reja.

Fundi i muajit shtator apo fillimi i tetorit, saktësisht datat 29 shtator dhe 6 tetor, janë dy datat të cilat janë përfolur si të mundshme për organizimin e zgjedhjeve të reja.

Megjithatë një gjë e tillë tashmë është në dorën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka njoftuar sot se menjëherë do të fillojë procedurat për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme.

“Brenda kompetencave të mia kushtetuese, ligjore dhe në përputhje të plotë me vendimin e sotëm të Kuvendit, së shpejti do të marr vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Thaçi, raporton Gazeta Express.

Pika 2 e Nenit të 66 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës saktëson që zgjedhjet e reja në rast të shpërndarjes së Kuvendit, mbahen jo më vonë se dyzet e pesë ditë pas shpërndarjes.

Fushata e partive politike për këto zgjedhje pritet të zgjas vetëm 10 ditë, kohë kjo kur ato do të publikojnë edhe programet e tyre me të cilat pretendojnë të qeverisin me Kosovën.

Ndërkohë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një deklarim për media sot ka thënë se nuk kanë mjete financiare për organizimin e zgjedhjeve të reja.

Zgjedhjet e parakohshme vijnë si rezultat i dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit pas ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale dhe pas problemeve serioze që kishin lindur brenda partnerëve të koalicionit rreth vendimit për taksën.

Se nuk duhet të ketë vonesa në krijimin e institucioneve të reja e kanë thënë edhe nga Bashkimi Evropian e shtetet të cilat janë të interesuar që të vazhdojë dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ambasadori gjerman në Beograd, Thomas Schieb, ka thënë se për të parë se si do të rrjedhin gjërat për vazhdimin e dialogut, duhet pritur përfundimi i zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.

Deri tani vetëm dy parti kanë nënshkruar koalicion parazgjedhor në mes vete. Bëhet fjalë për AAK-në e Ramush Haradinajt dhe PSD’në e Shpend Ahmetit.

Një koalicion tjetër që po përflitet se mund të ndodh është ai ndërmjet LDK’së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, megjithatë posti i kryeministrit duket të jetë pikë ndarëse për dy partitë.

NISMA e Fatmir Limajt duket se ka vendosur që të garojë e vetme, ndërkohë PDK’së nuk i është ofruar ende asnjë parti për bashkëpunim./GazetaExpress/

Komento: