Dy dënime të përjetshme, për vetëm një muaj

22:14 | 26 March 2019

Dy dënime të përjetshme janë bërë për vetëm një muaj në vendin tonë.

Që nga paralaufta, në Kosovë asnjëherë nuk ka ndodhur që drejtësia kosovare të shqiptojë dënim me ndalim të përjetshëm dhe ai të vërtetohet në shkallë më të larta.

Por Marsi i këtij viti do të mbahet mend për dy të tilla.

Madje dënimi më i rënd i paraparë me Kodin Penal të Kosovës u shqiptua dy herë brenda këtij muaji dhe atë për dy raste që u bënë ndaj grave në Kosovë.

Pjetër Nrecaj, i cili privoi nga jeta gruan dhe vajzën e tij në gusht të vitit 2018, u dënua me burg të përjetshëm.

E masë e njëjtë e dënimit u mor edhe ndaj Naser Pajazitaj. Pas kthimit të rastit në rigjykim, ai u dënua me ndalim të përjetshëm, pasi u shpall fajtor për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, më 9 nëntor të vitit 2015.

Organizatat që merren me mbrojtën e të drejtave të grave në Kosovë, besojnë se në rritjen e nivelit të dënimit për këto raste, ka ndikuar presioni publik dhe protestat.

Sipas Rrjetit të Grave të Kosovës, ndalimi i përjetshëm në këto dy raste është i duhuri.

Njëjtë shprehet edhe Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Shala thotë se në këto raste janë analizuar drejt rrethanat lidhur me caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit.

Pas luftës, vetëm në një rast ishte shqiptuar dënimi me ndalim të përjetshëm, por atë e kishe rrëzuar Gjykata e Apelit.

Dënimi ishte shqiptuar në vitin 2015, ku Gjykata Themelore e Prishtinës, kishte shpallur fajtor dy shtetas kosovarë, të cilët kishin kryer vrasjen makabre të një shtetasi serb me orgjinë boshnjake nga Novi Pazari. Por, Gjykata e Apelit e kishte hedhur poshtë vendimin e shkallës së parë dhe personat e dënuar me ndalim të përjetshëm i dënoi me 25 vjet, respektivisht 22 vjet.

Komento: