Pas dy ditësh do të ndeshen skuadra e Milanit dhe ajo e Interit.
Me përfundimin e angazhimeve të përfaqësueseve, në Itali kanë nisur përgatitjet për ndeshjen më të rëndësishme të javës, derbin e Madonninës mes Interit dhe Milanit, që do të zhvillohet të shtunën në orën 18:00 dhe do të transmetohet live në ekranin e Supersport 2.
Në “San Siro” pritet të shohim një derbi tërësisht ndryshe, pasi impianti mitik i Milanos do të jetë i zbrazur nga tifozët e shumtë që e bënin edhe më speciale këtë sfidë, sepse mbrëmjen e të premtes do të ketë vetëm 1000 tifozë në shkallët e stadiumit.
Kjo për shkak të koronavirusit, që përveçse ka lënë të boshatisur stadiumin, ka cunguar jo pak edhe organikën e e të dy skuadrave, ku veçanërisht Interi do të duhet të bëjë pa plot 6 prej futbollistëve, të cilët kanë rezultuar pozitivë ndaj Covid-19.
Ashley Young, Milan Skriniar, Alessandro Bastoni, Radja Nainggolan, Ionut Radu dhe Roberto Gagliardini vijojnë të mbeten në izolim, në pritje të shërimit të plotë, ndërsa Stefano Sensi do të mungojë për shkak pezullimi, pasi u ndëshkua me karton të kuq në takimin e datës 3 tetor përballë Lazios.
Për këtë arsye zgjedhjet e Antonio Contes në formacion do të jetë thuajse të detyruara, teksa dilema e vetme do të jetë në repartin e mesfushës, me danezin Eriksen që pasi shënoi 3 gola në po kaq ndeshje me përfaqësuesen e tij, ka hedhur kandidaturën për të luajtur titullar në derbi dhe do të rivalizojë me kroatin Brozoviç për një vend në mesfushë.
Të detyruara i ka zgjidhjet edhe trajneri i Milanit Stefano Pioli, veçanërisht në repartin e mbrojtjes, ku në qendër të saj ka në dispozicion vetëm kapitenin Romagnoli dhe danezin Simon Kjaer, pasi i riu Matteo Gabbia ka dalë pozitiv dhe është vendosur në izolim.
Dilema e vetme e trajnerit të kuqezinjve lidhet me zëvendësuesin e kroatit Ante Rebiç, i cili nuk ka arritur të rikuperohet për derbin dhe kandidatë për një vend në formacion janë portugezi Rafael Leao e spanjolli Brahim Diaz. Ndërkohë sot janë caktuar edhe arbitrat e derbit, teksa kryesor do të jetë Mariani, teksa në sallën VAR do të jetë Irrati.
INTER (3-5-2): Handanovic; D’Ambrosio, De Vrij, Kolarov; Hakimi, Barella, Brozovic, Vidal, Perisic; Lukaku. Lautaro Martinez.
I skualifikuar: Sensi | Të padisponueshëm: A. Bastoni, Gagliardini, Nainggolan, I.Radu, Skriniar, Vecino, Young | Balotazhet: Perisic 65%-Darmian 35%, Brozovic 60%-Eriksen 40%, Lautaro Martinez 65%-Sanchez 35%
MILAN (4-2-3-1): G. Donnarumma; Calabria, Kjaer, Romagnoli, Theo Hernandez; Kessié, Bennacer; Saelemaekers, Calhanoglu, Brahim Diaz; Ibrahimovic.
Të padisponueshëm: Duarte, Gabbia, Musacchio, Rebic | Balotazhet: Saelemaekers 60%-Castillejo 40%, Brahim Diaz 55%-Leao 30%-Castillejo 15%.